Masa efektive për të menaxhuar biznesin përgjatë krizës së Koronavirusit

 

Lufta ndaj koronavirusit, Covid-19, tashmë ka arritur në një fazë kritike e cila po sfidon ekonominë globale. Padyshim, pasojat e këtij virusi po prekin çdo industri dhe ndërmarrje, prandaj është esenciale për çdo biznes, pavarësisht madhësisë, që të ndërmarrë masat e duhura për të zbutur rrezikun, të mbrojë punonjësit dhe mbështesë klientët.

Disa nga masat e menjëhershme janë:

Krijimi i një plani emergjent për menaxhim të situatës

Pasi që koronavirusi tanimë veç se është përhapur, padyshim që do të afektojë edhe biznesin tuaj. Prandaj krijimi i një plani emergjent për menaxhim të situatës, rreziqeve dhe proceseve operacionale është i domosdoshëm. Disa nga hapat qe duhet ndjekur janë:

  • Listoni rreziqet që mund të shfaqen nga pasojat e koronavirusit si dhe cilat janë aktivitetet që ndikohen më së shumti
  • Hartoni një plan emergjent më të gjitha aktivitete qe mund të zhvillohen gjatë kohës së pandemisë
  • Identifikoni funksionet dhe proceset thelbësore të biznesit (si p.sh. rolet dhe përgjegjësitë, zinxhirët e furnizimit etj.) të cilat janë të nevojshme dhe esenciale për të mirëmbajtur operacionet e biznesit. Planifikoni se si do të funksionojë biznesi juaj nëse ndonjëra prej tyre ndërpritet për shkak të krizës
  • Identifikoni proceset kyçe dhe jeni të gatshëm që të pezulloni përkohësisht disa prej aktiviteteve tuaja, varësisht nga prioriteti dhe urgjenca.

Mbrojtja e punonjësve

Ruajtja e mirëqenies dhe shëndetit të punonjësve duhet te jetë njëra ndër masat kyçe të çdo biznesi gjatë kësaj krize. Disa nga masat që kompanitë mund t’i marrin për mbrojtje të punonjësve janë:

  • Të identifikohen dhe mënjanohen rreziqet potenciale për transmetim të virusit
  • Të ofrohen mjete dhe pajisje higjienike
  • Të ofrohet dhe zhvillohet infrastrukturë për të punuar nga shtëpitë
  • Të punohet me orare të shkurtuara nëse opsioni për të punuar në shtëpi është i pamundur
  • Të ketë lehtësime për personat që janë të sëmurë me sëmundje kronike
  • Të limitohen mbledhjet në mënyrë fizike dhe të zhvillohen në mënyrë virtuale
  • Të përgatiten manuale dhe procedura për lehtësim të punës nga shtëpia

Zhvendosja e komunikimit në mënyrë digjitale

Pas vendimeve të fundit të qeverisë, pothuajse çdo biznes tashmë është i detyruar që veprimtaritë t’i zhvillojë nga shtëpitë. Kjo situatë mund të sjellë vështirësi në komunikim, si brenda kompanisë, e po ashtu edhe me klientët apo partnerët. Në një situatë të tillë, zgjidhja më e mirë është përdorimi i platformave digjitale për komunikim, si p.sh. Microsoft Teams, platformë kjo e cila mundëson kyçjen e deri 200 personave në të njëjtën kohë, duke lejuar kështu që departamentet brenda kompanisë të jenë në hap me të gjitha zhvillimet operacionale të kompanisë.

Zhvillimi i një Infrastrukture për të punuar nga shtëpitë

Një alternativë tanimë e praktikuar në mbarë botën për vazhdim të proceseve ditore, është puna nga shtëpia. Prandaj, në këtë kontekst, zhvillimi i një infrastrukture të denjë e cila mundëson qasje të lehtë dhe efektive të punonjësve në databazat dhe sistemet e kompanisë është tejet i rëndësishëm. Disa nga hapat që duhet ndërmarrë janë:

  • Të sigurohet një lidhje e shpejtë dhe e besueshme e internetit në shtëpi.
  • Të pajisen punonjësit me një laptop ose pajisje tjetër që mundëson qasje në resurset e kompanisë
  • Të sigurohet qasje në sisteme online ose cloud-based që mundësojnë që punonjësit të kenë qasje të sigurt në resurset e kompanisë.

Ju nevojitet ndihmë për hartimin e strategjive për tejkalimin e krizës?