Këshilla teknike për një HomeOffice të mirëfilltë

 

Përhapja e shpejtë dhe pasojat e COVID-19 kanë ndikuar që shumë biznese në mbarë botën të kërkojnë nga punëtorët e tyre që të punojnë nga shtëpitë. Për këtë arsye, ne kemi listuar 6 këshilla lidhur me mjetet e nevojshme dhe aranzhimet teknike që kompanitë mund t’i aplikojnë për t’ua lehtësuar punën punonjësve të tyre.

1. Pajisja me Wi-Fi

Për të punuar në shtëpi, përveç pajisjeve elementare si tavolinë, karrige kompjuter apo laptop, padyshim që nevojitet edhe një lidhje e shpejtë me internet. Nëse një gjë e tillë nuk është e mundur, atëherë mund të përdoren alternativa si shfrytëzimi i një hotspot-i celular WLAN, i cili duhet të ketë MB të mjaftueshëm për të mundësuar qasjen në internet.

2. Instalimi i programeve për video-konferencë

Platformat si Skype, Microsoft Teams, Zoom, Google Hangouts, Webex, etj., janë vetëm disa nga mundësitë e shumta përmes të të cilave mund të zhvillohen video konferencat. Mjafton që të jeni të pajisur me dëgjuese, të cilat kanë mikrofon, dhe lirshëm mund të shkëmbeni informata me bashkëpunëtorët tuaj.

3. Instalimi i një ‘Remote Desktop’

Instalimi i ‘Remote Desktop’ mundëson që të shihni desktopin e një kompjuteri tjetër në kompjuterin tuaj. Programet si LogMeIn apo TeamViewer janë jashtëzakonisht të nevojshme, pasi që i mundësojnë departamentit të IT-së, që edhe nga distanca të zgjidhin problemet në kompjuter. Po ashtu, kjo teknologji ua mundëson edhe punëtorëve që nga distanca të kyçen në kompjuterin e tyre në zyrë dhe të kenë qasje në dokumentet personale.

4. Instalimi i programeve për menaxhim të detyrave

Platformat digjitale të menaxhimit të detyrave të tilla si Trello, Smartsheet, Jira, Asana u mundësojnë përdoruesve që të menaxhojnë detyrat në formë të ‘to-do’ listave, të shtojnë takime, të bëjnë check-lista etj. Këto platforma të menaxhimit  jo vetëm që ndihmojnë në organizim të punës, por gjithashtu mund të qasen edhe nga shtëpitë. Kjo u mundëson ekipeve, që të definojnë qartë detyrat dhe të jenë të informuar në kohë reale se në çfarë po punohet aktualisht, kur do të kryhet puna dhe kush është përgjegjës për atë punë.

5. Kujdesi ndaj emailave keqbërës

Duke pasur parasysh që gjatë punës në shtëpi, do të ketë qarkullim të dhënave të ndjeshme, programet për mbrojtje nga virusët duhet të aktualizohen. Marrë parasysh situatën, tanimë ka raporte që është rritur numri i emailave mashtrues me mesazhe për “COVID-19”. Punonjësit në shtëpi duhet te sigurohen për përmbajtjen e këtyre emailave dhe nëse kanë dyshime duhet t’i fshijnë menjëherë.

6. Sinkronizimi dhe qasja në të dhëna

Në një situatë të tillë, shkëmbimi i dokumenteve dhe të dhënave online është bërë një domosdoshmëri. Platforma të bazuara tërësisht online si Google G Suite, Box, Dropbox, OneDrive, NextCloud, Wimi, Samepage, etj., mundësojnë që punëtorët të jenë në gjendje të ndajnë, shkarkojnë, apo ngarkojnë dokumente të cilat janë të qasshme nga i gjithë ekipi. Po ashtu, shumica e këtyre platformave sigurojnë që të keni një qasje të enkriptuar, kanë mundësi për filtra kërkimi si dhe menaxhim të rrjedhës së punës.

Ju nevojitet ndihmë për realizimin e mjeteve teknike për të implementuar punën nga shtëpia?