Check-Lista: Çfarë mund të bësh si ndërmarrës për të siguruar ekzistencën e kompanisë

 

Ndikimi ekonomik i virusit Covid-19 po shkon duke u bërë çdo herë e më i paparashikueshëm. Prognozat radhiten nga ato të këqijat dhe shkojnë deri tek ato më të zymtat. Prandaj, ndërmarrjet duhet të reagojnë shpejt.

Për javët dhe muajt në vijim, kompanitë duhet të hartojnë skenarë që pasqyrojnë zhvillimet e mundshme dhe ndikimet konkrete të këtyre skenarëve. Kjo është baza për të vendosur se çfarë të bëhet e çfarë të ndërmerret. Si mbijetesa afatshkurtër ashtu edhe zhvillimi afatmesëm, të dyja kanë prioritet.

Në këta skenarë duhet të merren parasysh edhe elementet vijuese:

1. Likuiditeti

Kontrolloni gjendjen tuaj financiare në tërësi, pa u munduar t’i zbukuroni gjërat. Ndaloni të gjitha shpenzimet dhe investimet e panevojshme. Bisedoni me furnitorët rreth zgjatjes së afateve të pagesave. Mundohuni të mbledhni sa më shumë nga borxhet që ju kanë.

2. Menaxhimi i klientëve

Kontaktoni në mënyrë pro-aktive me klientët tuaj dhe punoni me ta për të gjetur zgjidhjet më të mira të mundshme në këtë situatë krize. Kjo mund të përfshijë për shembull optimizimin e porosive, rinegociimin e termineve dhe kushteve të liferimit, etj.

3. Zinxhirët e furnizimit

Kontrolloni zinxhirët tuaj të furnizimit dhe kërkoni alternativa – për shembull Europa në vend të Azisë. Trajnoni në linjë me këto ndryshime edhe stafin tuaj përgjegjës.

4. Kapacitetet:

Analizoni në mënyrë kritike nëse dhe në çfarë mase mund të zvogëloni kapacitetet prodhuese apo shërbyese. Vlen të merren parasysh opcionet që të zvogëlohet ose ndalet puna në ndërrime, të shkurtohet orari i punës ose të punoni vetë 2-3 ditë në javë.

5. Punëtorët

Rregulloni angazhimin dhe kompensimin e personelit në përputhje me kapacitetet dhe oraret e reja. Edhe pse në Kosovë deri më tani nuk është aplikuar asnjë pako financiare mbështetëse për ndërmarrjet e afektuara nga kjo situatë, mundohuni të mos i shkëputni kontratat e punës me punëtorë tuaj. Mos harroni sa e vështirë është të gjesh staf të përshtatshëm dhe sa e mundimshme është të trajnosh staf të ri e ta integrosh atë në ndërmarrje.

6. Kreditë

Folni me bankën tuaj për të siguruar kreditë e nevojshme që mundësojnë vazhdimin e ekzistencës së kompanisë suaj. Nëse keni obligime kreditore, kërkoni nga banka një riprogramim të borxhit dhe rritje të kornizës së konto-korrentit.

Ju nevojitet ndihmë për hartimin e skenarëve për tejkalimin e krizës?