Shërbimet online po vazhdojnë t’i bëjnë bashkë institucionet publike me komunitetin e biznesit. Iniciativa më e re është platforma digjitale “Biznesi im” që do të lansohet ditet në vijim.
Të gjitha shërbimet digjitale që u duhen kompanive të reja dhe atyre në zhvillim do të ofrohen në një adresë. Platforma “Biznesi im” do të shërbejë si një ‘one-stop-shop’ për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme kosovare, duke ju dhënë qasje në një larmi mjetesh dhe shërbimesh digjitale që do t’i mbështesin ndërmarrjet në përmirësimin e performancës dhe konkurrueshmërisë.
Shërbimet dhe mjetet digjitale që do të ofrohen në kuadër të platformës përfshijnë:
- doracakë dhe broshura mbi format juridike, procedurat e regjistrimit, taskat dhe tatimet, etj.
- plane online të biznesit dhe plane financiare
- formularë për vetëvlerësim, dhe
- modele të përshtatshme që përdoren çdo ditë nga kompanitë (fatura, kontrata të punës, etj).
Platforma “Biznesi im” synon të iniciojë ndryshime të sistemit të tregut duke u mundësuar ndërmarrjeve kosovare, veçanërisht atyre të drejtuara nga gratë dhe të rinjët, qasje të lehtë në informata dhe shërbime relevante për zhvillim të biznesit. “Biznesi im” do të kontribuojë në rritjen e shkallës së mbijetesës së ndërmarrjeve start-up dhe rritjen e performancës dhe konkurrueshmërisë të ndërmarrjeve ekzistuese.
Platforma “Biznesi im” ndjek modelin e suksesshëm Austriak “Gründerservice” të themeluar nga Oda Ekonomike e Austrisë. Kjo platformë ofron shërbime të ndryshme digjitale duke filluar nga ideja e biznesit, planifikimet përkatëse e deri te gjetja fondeve për të themeluar dhe zhvilluar biznesin.
Kjo iniciativë mbështetet nga projekti ACCESS dhe do të rrisë portofolin e shërbimeve mbështetëse online të ofruara nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovëpër NMVM-të.