Përparimet e shpejta teknologjike dhe digjitalizimi kanë ndryshuar mënyrën e punës, bashkëpunimit, dhe aktivitetit tonë shoqëror. Zgjidhjet e reja dhe inovative janë bërë shtytës themelorë të suksesit të bizneseve. Së fundmi, pandemia COVID-19 ka shpërfaqur rëndësinë kritike të teknologjisë dhe inovacionit, duke demonstruar se digjitalizimi është një realitet që do të vazhdojë të mbizotërojë.
Për të nxjerrë në pah rëndësinë e digjitalizimit dhe përfitimet që sjell ai për bizneset dhe shoqërinë, projekti ACCESS njofton se do të organizojë tre evente në kuadër të ngjarjes “E-days”, që do të zhvillohen brenda dy ditëve, më 15 dhe 16 dhjetor 2020. Këto ngjarje do të ofrojnë sesione informuese mbi temat e transformimit digjital të ndërmarrjeve, të E-tregtisë dhe pagesave online, dhe grave në biznes si promovuese të digjitalizimit. Eventet do të zhvillohen online dhe do të jenë të qasshme për të gjithë komunitetin e biznesit, institucionet publike, donatorët dhe palët e tjera të interesuara.
Më 15 dhjetor do të trajtohet tema e mëposhtme:
Transformimi Digjital i NVM-ve
Panelistët do të shqyrtojnë rëndësinë e transformimit digjital për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, mundësitë e rritjes që burojnë nga digjitalizimi, dhe strategjitë për të nisur rrugëtimin e transformimit digjital.
Më 16 dhjetor, do të trajtohen temat e mëposhtme:
E-tregtia dhe pagesat online
Panelistët do të diskutojnë platformat e tregtisë elektronike dhe përfitimet operacionale për ndërmarrjet. Më tej, panelistët do të ofrojnë një përmbledhje të kanaleve ndërkombëtare të dërgesave dhe si ato mund të përdoren nga bizneset. Gjatë këtij eventi, do të diskutohet edhe tregu lokal dhe ndërkombëtar për tregtinë elektronike dhe shërbimet e pagesave, dhe në fund panelistët do të paraqesin disa pikëpamje mbi sfidat rregulattive dhe digjitale të e-tregtisë dhe pagesave online.
Gratë në biznes si promovuese të digjitalizimit
Diskutimi do të përqendrohet në rolin e grave në drejtimin e transformimit digjital. Më tej, diskutimi do të trajtojë rolin e institucioneve mbështetëse të biznesit dhe donatorëve në mbështetjen dhe fuqizimin e grave si promovuese të procesit të përgjithshëm të transformimit digjital.