Shija e gatimeve të “Nënës”

 

Nuk ka asgjë më të mirë se aroma e bukës së sapo pjekur dhe shija e një copëze piteje me gjalpë, djathë apo mish. Aromë kjo që përcjellë kënaqësi dhe na kthen kujtime të bukura rreth tryezës së familjes.

Kur në mendje do ju vijë një nga ushqimet tuaja të preferuara tradicionale, tashmë keni një vend ku mund të drejtoheni.

Ushqime tradicionale ”Nëna”, ju ofron shijen e gatimeve të nënave tuaja, të gatuara me plot përkushtim e pasion nga ambientet e shtëpisë, e që ky pasion është konvertuar në një biznes të vogël familjar. Por, ajo që e dallon nga shumë të tjerë, është se perimet të cilat i përdorin në gatimet e tyre i mbjellin në bahçen e shtëpisë. Kështu ata përherë ofrojnë ushqime të freskëta dhe me shumë shije të natyrës.

Ky biznes i vogël i themeluar pesë vite më parë, është një ndër bizneset të cilët kanë përfituar shërbime të subvencionuara të marketingut digjital në kuadër të Iniciativës për Fuqizimin Digjital (IFD).

“Ky grant na ka ndihmuar që të rrisim prezencën tonë online, ku sot kemi webfaqen tonë, në të cilën klientët tanë mund të shohin menunë dhe të na kontaktojnë. Po ashtu, përkrahja e marrë përmes Iniciativës për Fuqizim Digjital ka minimizuar impaktin negativ të pandemisë COVID 19 për biznesin tonë.” – thotë Vigan Beqiri, menaxheri i këtij biznesi.

Prezenca online ka ndihmuar këtë biznes që të rris shitjet, por më e rëndësishmja të rris dhe numrin e punëtorëve. Sot, ky biznes ka 5 punëtorë, ku 4 prej tyre janë gra, e ku punëtorja e fundit iu është bashkuar pas përfitimit të grantit.

IFD-ja është mekanizëm i financuar nga KIESA, që mbështetë transformimin digjital të bizneseve kosovare. Zbatimi i IFD-së përkrahet nga programi ACCESS, që është i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).