Njerëzit kanë braktisur shtrëngimet e duarve dhe përqafimet që pasurojnë ndërveprimet e përditshme për të parandaluar përhapjen e pandemisë. Ngjashëm, me muaj të tërë, shumë fëmijë kosovar nuk morën çantat dhe nuk shkuan në shkollat e tyre. Me dyert e shkollave të mbyllura, u vu re një kërkesë e shtuar për mësim në distancë. Si rezultat, platformat dhe softuerët e rinj filluan të përdoren krahas metodave tradicionale të mësimdhënies, duke konfirmuar potencialin e të mësuarit digjital.
Ndërsa shumë argumentojnë se mbyllja e shkollave ka shkaktuar dëme që mësimet shtesë nuk mund t’i kompensojnë, kalimi në mësimin digjital bëri të mundur që fëmijët të kapin hapin dhe të mbushin boshllëqet e të mësuarit të krijuara nga mbylljet e pandemisë. Ashtu si pothuajse me çdo gjë tjetër, mbyllja e detyruar në botë nga pandemia e Covid-19 bëri presion mbi shkollat për të përqafuar inovacionin.
Kështu ka ndodhur me “Hello Academy of Education” – shkollë fillore në Gjilan. Kjo shkollë funksionon që nga viti 2017, është e akredituar dhe ofron mësim për çerdhet (fëmijët 2-5 vjeç), parashkollorët (fëmijët e moshës 5-6 vjeç) dhe mësim për ciklin e ulët fillor (klasat 1-9), e ku në total ka 540 nxënës.
Ndihma për të cilën kjo shkollë kishte më shumë nevojë – lehtësimi i transformimit digjital – në mes të pandemisë erdhi përmes Iniciativës për Fuqizimin Digjital (IFD). Mekanizmi IFD mundësoi që Hello Academy të marrë shërbime të subvencionuara të automatizimit dhe optimizimit. Si rezultat, format tradicionale të mësimdhënies tashmë nuk aplikohen në këtë shkollë dhe Hello Academy konstaton se fëmijët e sotëm “po rriten në epokën digjitale”.
“Përmes këtij granti, ne kemi përmirësuar faqen tonë të internetit dhe platformën e mësimit elektronik, duke u dhënë prindërve një vështrim më të thellë të performancës së fëmijëve të tyre në klasë. Kjo platformë u mundëson mësuesve të menaxhojnë llogaritë e studentëve të tyre, të dorëzojnë detyra dhe të publikojnë të gjitha programet e tyre të leksioneve në internet. ” thotë me entuziazëm drejtoresha e kësaj shkolle, zonja Hysnije Ismaili. “Përmes shërbimeve të marra nga IFD, ne kemi prezantuar edhe mënyrën e pagesës elektronike, duke përmirësuar përgjegjshmërinë dhe transparencën, por edhe duke kapërcyer shumë pengesa në menaxhimin financiar që kemi hasur më parë. Nxënësit dhe mësuesit tashmë kanë përqafuar një kulturë pa letra, pasi të gjitha detyrat nuk shtypen më, por dërgohen në mënyrë elektronike”, shton znj. Ismaili.
Sipas drejtueses së kësaj shkolle, prindërit duket se e kanë vlerësuar aftësinë e shkollës për të përmbushur nevojat e fëmijëve dhe prindërve duke vazhduar me përparimet teknologjike që ndodhin në sistemin arsimor. Karakteristikat e reja të platformës dhe faqes së internetit kanë përmirësuar imazhin e përgjithshëm të shkollës, siç shihet edhe në rritjen e numrit të aplikimeve të studentëve.
“Pas përmirësimit të pranisë sonë digjitale, kemi hasur në një rritje të theksuar të numrit të nxënësve, duke pritur 120 nxënës të rinj. Kjo kushtëzoi edhe rritjen e numrit të mësuesve. Numri i të punësuarve në shkollën tonë u rrit nga 48 në 80 këtë vit” – pohon me krenari zonja Ismaili.
IFD është një mekanizëm i financuar nga KIESA, i cili mbështet transformimin digjital të bizneseve kosovare. Zbatimi i IFD-së mbështetet nga programi ACCESS, i cili financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).