Moda e Prishtinës komunikon online

Rroba që diktojnë modën shiten në dyqanin e Rita Saraçit në qendër të Prishtinës. Ajo kuron me stil të gjitha produktet që janë të gatshme për t’u veshur në FAR – nga xhaketa tek pantallonat, bluzat e deri tek fustanat e mbrëmjes. Meqë shumica e klientëve të saj janë përdorues të platformave digjitale, Rita është e bindur se transformimi digjital është një mundësi për të zgjeruar shitjet.

“Në këtë kohë pandemie, kur porositë në internet janë shtuar, e kam kuptuar që një ueb faqe që ka të integruar shitjen (e-commerce), është ajo që më duhet më së shumti. Kjo do të rrisë shikueshmërinë e brendit tim dhe shpresoj që edhe shitjen gjithashtu, si brenda ashtu edhe jashtë vendit,” thotë Rita.

Uebfaqja po zhvillohet përmes Iniciativës për Fuqizimin Digjital (DEI) që mbështet kompanitë kosovare me shërbime të digjitalizimit për të rritur konkurrencën dhe qasjen në treg. DEI zbatohet nga KIESA me mbështetje nga projekti ACCESS dhe me financim nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).

Rita tashmë do të mund të listojë edhe në internet të gjitha produktet e dyqanit, që janë kryesisht të prodhuara në Kosovë. Ky transformim digjital pritet të shumëfishojë numrin e porosive, si dhe të rrisë numrin e të punësuarve në kompaninë e Ritës.

Vala e dytë e përkrahjes së ndërmarrjeve në kuadër të DEI ka filluar në dhjetor të këtij viti.