Rudina Qosja ka sjellë në Prishtinë shijen e ëmbëlsirave të Parisit dhe New York-ut që nga viti 2017. Por, me realitetin e ri të imponuar nga pandemia, “Rudi’s Cake Factory” i është kthyer digjitalizimit për të kompensuar humbjet e shkaktuara.
Ajo aktualisht është duke zhvilluar një web faqe moderne përmes Iniciativës për Fuqizimin Digjital (IFD) që është mekanizëm i financuar nga KIESA e që mbështetë transformimin digjital të bizneseve kosovare. Zbatimi i IFD-së përkrahet nga programi ACCESS, që është i financuar nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADC).
Kjo web faqe do të mundësojë që “Rudi” të paraqesë punën e saj në tregjet vendore dhe ndërkombëtare, t’u mundësojë klientëve të porosisin ëmbëlsira me përbërës që ata preferojnë, dhe më e rëndësishmja të jenë në gjendje të bëjnë porosi online.
“Unë jam e bindur që komunikimi digjital dhe shitjet online po përdoren çdo herë e më shumë nga shoqëria,” thotë Rudina nga hapësira ku shërben dhe prodhon ëmbëlsirat artizanale.
IFD-ja po përkrahë kompanitë kosovare me shërbime të digjitalizimit për të rritur konkurrueshmërinë dhe qasjen në treg. Duke marrë parasysh numrin e lartë të aplikimeve të marra në mes të vitit 2020, raundi i dytë i mbështetjes është shpallur në dhjetor të këtij viti.
Trendet drejtë transformimit digjital kanë shtyrë Rudinën të largohet nga menyra tradicionale e shitjes së ëmbëlsirave. “Ky është pasioni im dhe besoj se po bëj diçka të veçantë. Unë dua që klientët e mi të ndjehen në të njëjtën mënyrë, të veçantë” thotë Rudina.