Masa përkrahëse për biznese

Çfarë perkrahje kanë bizeset për pagat e punëtorëve?

 

1. Çfarë ndihme ofron Qeveria e Kosovës për bizneset që janë në vështirësi financiare si pasojë e krizës aktuale?

Mbulimin e shpenzimeve të pagave mujore të punonjësve në vlerë prej 170 €.

 

2. Kush paguan kontributin pensional dhe obligimin tatimor lidhur me pagën prej 170 €?

Me masat tjera qeveritare parashihet që qeveria paguan të gjitha kontributet pensionale dhe obligimet tatimore. Punëtori në fund duhet të pranoj 170 €.

 

3. Cilës periudhë kohore i referohet kjo ndihmë?

Kjo masë vlen për pagat e muajit mars dhe prill, por ekzekutimi i pagesës bëhet gjatë periudhës prill dhe maj.

 

4. Kur është afati i fundit për të përfituar nga kjo masë?

Bizneset duhet të aplikojnë më së voni deri me 15 maj 2020.

 

5. Cilat kushte duhet t’i plotësojë biznesi, që punëtorët e tij të përfitojnë?

– Përmes sistemit elektronik EDI, biznesi duhet të plotësojë dhe ngarkojë formularin dhe listën e dizajnuar nga ATK

– Biznesi duhet të dëshmojë që veprimtaria e tij është ndikuar negativisht direkt apo indirekt nga kriza aktuale

– I punësuari mund të përfitojë vetëm nëse i njëjti është i deklaruar si primar në listë pagesën mujore të punëdhënësit, për periudhën shkurt 2020

– I punësuari, duhet të posedojë llogari bankare

Çfarë përkrahje kanë bizeset për shpenzimet e qirasë?

 

1. Cila është përkrahja e Qeverisë lidhur me shpenzimet e qirasë?

Qeveria ofron subvencionim të qirasë deri në 50% të vlerës së qirasë për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, për muajin prill dhe maj.

 

2. Kush përfiton nga kjo masë?

Vetëm ato biznese që e kanë obligimin e qirasë të papaguar për dy muaj që nga fillimi i pandemisë.

 

3. Nga kjo masë a mund të përfitojnë edhe bizneset që kanë parapaguar qiranë?

Jo.

 

4. Kur është afati i fundit për të përfituar nga kjo masë?

Bizneset duhet të aplikojnë më së voni deri me 15 maj 2020.

 

5. Cilat kushte duhet t’i plotësojë biznesi, që të përfitojë nga kjo masë?

– Qiramarrësi, përmes sistemit elektronik EDI, duhet të plotësojë dhe ngarkojë formularin dhe listën e dizajnuar nga ATK

– Qiramarrësi duhet të ngarkojë kontratën e qirasë, e cila duhet të jetë e lidhur para datës 1 mars 2020

– Qiramarrësi duhet të dëshmojë që veprimtaria e tij është ndikuar negativisht direkt apo indirekt nga kriza aktuale

– Qiradhënësi duhet të posedojë llogari bankare në një nga bankat komerciale të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës

Çfarë përkrahje kanë bizeset për sigurimin e likuiditetit financiar?

 

1. A planifikon Qeveria ndonjë masë për të përmirësuar likuiditetin financiar të bizneseve?

Po, masat konsistojnë në garantimin e kredisë dhe subvencionim të kamatës.

 

2. Kush mundë të përfitoj nga këto masa?

Mikro-ndërmarrjet që kanë deri në 10 të punësuar aktual, dhe të vetë-punësuarit.

 

3. Çka parashohin këto masa?

– Për të përfituar nga kjo masë bizneset duhet të aplikojnë për financim nga bankat komerciale të Republikës së Kosovës deri në 10 mijë euro me afat të maturitetit deri në 24 muaj

– Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të ofrojë garanci deri në 50% të shumës së kredituar, kurse Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbulojë garancinë shtesë deri në 30% të shumës së kredituar (në total 80%)

– Për këtë kategori do të subvencionohen normat e interesit me 50%

A do të ketë përkrahja për sektorë apo grupe të caktuara të bizneseve?

 

1. A planifikon Qeveria ndonjë masë për të përkrahur prodhimin bujqësor?

Po, do të ofrohen grante dhe subvencione, të cilat do të specifikohen në vazhdim nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

 

2. A planifikon Qeveria ndonjë masë për të përkrahur eksportuesit?

Po, do të ofrohet mbështetje për eksportuesit pas përfundimit të situatës së emergjencës së shëndetit publik.

Çfarë përkrahje ofrohet për punëtorët e ekspozuar ndaj rrezikut?

 

1. A parashihet ndonjë ndihmë shtesë për punëtorët e bizneseve që janë duke punuar?

Po, do të ketë pagesë shtesë në vlerë prej njëqind 100 € euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve për muajin prill dhe maj.

 

2. A përfitojnë të gjithë punëtorët e këtyre bizneseve?

Jo, nga kjo masë përftojnë vetëm punëtorët që kanë kontakt të drejtpërdrejt me konsumatorin gjatë punës së bërë.

Çfarë përkrahje ofrohet për punëtorët e larguar nga puna?

 

1. A parasheh Qeveria masa për punëtorët që largohen nga puna?

Po, nëse bizneset janë detyruar që të largojnë punëtorë nga puna si rrjedhojë e krizës aktuale, punëtorët e larguar do të përfitojnë nga asistenca mujore në vlerë prej 130 €, për muajt prill, maj dhe qershor.

 

2. Kur është afati i fundit për të përfituar nga kjo masë?

Më së largu deri më 15 maj 2020.

 

3. Cilat janë kushtet për të përfituar nga kjo masë?

– Ish i punësuari të jetë larguar nga puna si rezultat i rënies së aktivitetit të ndërmarrjes për shkak të krizës aktuale

– Ish punëdhënësi, përmes sistemit elektronik EDI, duhet të plotësojë dhe ngarkojë formularin dhe listën e dizajnuar nga ATK

– Ish i punësuari duhet të jetë pjesë e listës së pagave të dorëzuar nga punëdhënësi në periudhën shkurt 2020

– Ish i punësuari, duhet të posedojë llogari bankare

 

4. Ku mund t’i gjej masat e Qeverisë së Kosovës?

https://mf.rks-gov.net/desk/inc/media/CF860B38-765C-41B3-87D0-6E38AD371584.pdf

 

Këshilla për biznese

Cilat masa rekomandohen për të mbrojtur punëtorët në ndërmarrje?

 

1. Çfarë masa preventive higjienike duhet të ndërmarrë biznesi në mbrojtje të punëtorëve?

– Kujdesuni për mirëmbajtjen e higjienës së duarve

– Udhëzoni punonjësit që të shmangin kontaktin direkt përmes shtrëngimit të duarve

– Udhëzoni punonjësit që të mbajnë largësinë e obligueshme prej së paku 2 metrave

– Mos lejoni qëndrimin e përbashkët të punonjësve në hapësirat e parapara për pauza apo ushqim

– Përdorni maska mbrojtëse në hapësirat për punë të përbashkët

– Ajroseni ambientin e punës disa herë në ditë

– Kujdesuni për nivel të lartë të higjienës në tualete

– Kujdesuni për hedhjen e mbeturinave duke respektuar masat e sigurisë dhe shëndetit

– Mos lejoni përdorimin e mjeteve të njëjta të punës nga më shumë punonjës.

 

2. Çfarë duhet ndërmarrë në rast të infeksionit?

– Në rast të dyshimit për persona të sëmurë, informoni institucionet relevante shëndetësore

– Vendoseni personin e dyshuar në një dhomë të veçantë e të izoluar përderisa pritet ardhja e përfaqësuesve të institucioneve shëndetësore

– Identifikoni punonjës tjerë me të cilët punonjësi i dyshuar ka pasur kontakt gjatë kryerjes së detyrave ditore

– Nëse personi i dyshuar rezulton pozitiv, bashkëpunoni me institucionet e sigurisë dhe shëndetit për marrjen e masave tjera sipas udhëzimeve të tyre

– Lejoni personat që kanë pasur kontakt me personin e dyshuar, që mundësisht të punojnë nga shtëpia në 14 ditët e ardhshme

– Udhëzoni personat e tillë që në rast të simptomave të sëmundjes të lajmërohen tek institucionet relevante shëndetësore

– Udhëzoni personat e tillë që gjatë kohës së izolimit të mos mbajnë kontakte direkte me kolegët nga puna

 

3. Çfarë masash tjera duhet ndërmarrë për të mbrojtur punëtorët?

– Të ofrohet dhe zhvillohet infrastrukturë për të punuar nga shtëpitë

– Të punohet me orare të shkurtuara nëse opsioni për të punuar në shtëpi është i pamundur

– Të ketë lehtësime për personat që janë të sëmurë me sëmundje kronike

– Të limitohen mbledhjet në mënyrë fizike dhe të zhvillohen në mënyrë virtuale

– Të përgatiten manuale dhe procedura për lehtësim të punës nga shtëpia

Si të krijojmë kushte për të punuar nga shtëpia?

 

1. Cilat janë hapat bazikë për të ndërtuar një HomeOffice të mirëfilltë?

– Pajisu me Wi-Fi

– Instalo programe për video-konferencë (Skype, Microsoft Teams, Zoom, Google Hangouts, Webex)

– Instalo një ‘Remote Desktop’ për të pasur qasje në desktopin një kompjuteri tjetër (LogMeIn apo TeamViewer)

– Instalo program për menaxhimin e detyrave (Trello, Smartsheet, Jira, Asana)

– Kujdes ndaj emailave keqbërës (spam)

– Sinkronizo dhe mundëso qasje në të dhëna (Google G Suite, Box, Dropbox, OneDrive, NextCloud, Wimi, Samepage)

 

2. Cilat platforma të komunikimit online mund të përdoren?

Përveç atyre tradicionale siç janë Viber, WhatsApp apo Skype, ju mund të përdorni edhe platforma tjera siç janë google hangout, zoom apo Microsot Teams. Kjo e fundit mundëson kyçjen e deri 200 personave në të njëjtën kohë, duke lejuar kështu që departamentet brenda kompanisë të jenë në hap me të gjitha zhvillimet operacionale të kompanisë.

Çfarë të bëj për të optimizuar procesin e furnizimit?

 

– Definoni se cilat janë produktet/shërbimet kritike për funksionimin e ndërmarrjes tuaj

– Analizoni stokun aktual dhe kërkesat afatshkurtra për produkte/shërbime

– Përgatitni një plan të detajuar të furnizimit, që do të ju sigurojë sasi të duhur të resurseve në kohën e duhur

– Optimizoni prodhimin në linjë me vlerësimin e kërkesës së tregut

– Vlerësoni riskun e ndërprerjes së kanaleve aktuale të furnizimit dhe identifikoni furnitorë alternativ

– Shfrytëzoni mjete digjitale për të mbajtur kontakt të vazhdueshëm me furnitorët tuaj

– Ri-negocioni çmimet dhe kërkoni shtyrje të afateve të pagesës nga furnitorët

Çfarë të bëj për të optimizuar procesin e shitjes?

 

– Analizoni kërkesën reale të konsumatorëve tuaj në këtë periudhë dhe optimizoni aktivitetet tuaja të marketingut në linjë me këtë kërkesë

– Fokusohuni në ndërtimin e kanaleve digjitale të shitjes (uebfaqe, media sociale, portale shitjesh, etj.)

– Etabloni dhe shfrytëzoni kanale direkte të kontaktit me klientët tuaj (uebfaqe, media sociale, buletin elektronik, online chat, etj.)

– Promovoni produktet apo shërbimet tuaja përmes marketingut digjital

– Analizoni kanalet aktuale të distribuimit si në aspekt të kostos ashtu edhe të përshtatshmërisë. Sipas nevojës, identifikoni kanale alternative të distribuimit.