Zvicërranët të interesuar për gëlqeroren "Lepenci"

Kompania e njohur zvicerane “Holcim” (ish- ”Holderbank”), e cila në qershor të vitit 2000 e ka marrë me qira për 10 vjet çimentoren “Sharrcem” në Han të Elezit, ndërsa më 29 janar të këtij viti ka aplikuar te AKM-ja për t’u bërë pronare e përhershme e saj, është e interesuar për ta blerë edhe gëlqeroren “Lepenci” në Kaçanik, njoftojnë burime nga stafi menaxhues i “Lepencit”. “Një delegacion i ‘Holcimit’ i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm i ‘Sharrcemit’, Uwe Koehler, e ka vizituar fabrikën”, theksuan të premten burimet nga stafi menaxhues, të cilat folën pë gazetën me kusht anonimiteti. Sipas këtij burimi, më shumë se për fabrikën kompania e sipërpëmendur është e interesuar të bëhet pronare e dy minierave të gurit gëlqeror në Ivajë dhe Krivarekë, të cilat janë prona të “Lepencit”. “Mund të ndodhë që pasi ta blejënë ‘Lepencin’ ‘Holcimi’ të mbajë për vete vetëm minierat e gurit gëlqeror, ndërsa fabrikën t’ia shesë ndonjë kompanie tjetër”, spekulojnë burimi. Guri gëlqeror është lëndë e parë për prodhimin edhe të çimentos, ndërsa rezervat e llogaritura në 2 minierat vlerësohen të mjaftueshme për nevojat e çimentores dhe gëlqerores për një periudhë kohore 20 vjeçe. Pos “Holcimit”, sipas burimeve, për prodhuesin e vetëm të gëlqeres në Kosovë janë të interesuara edhe 5 kompani tjera të huaja. “Lepenci” është njëra nga 6 ndërmarrjeve të para shoqërore, të përzgjedhura nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit për ta “inauguruar” procesin e privatizimit në Kosovë.

ECIKS / KOHA