Shqipëri: liçenca e tretë në telefoninë celulare

Qeveria shqiptare vendosi të liçensojë këto ditë një kompani të tretë për telefoninë e lëvizshme me qëllim që të përmirësohet cilësia e shërbimeve dhe të ulen cmimet. Kompania, ende shtetërore, e telefonisë fikse, ALBTELEKOM, po bën aktualisht një seri përgatitjesh për të ngritur shërbimin e vet të telefonisë celulare krahas dy kompanive të huaja Vodafone dhe AMC.

Kompania është në prag të privatiziit dhe mendohet se ky shërbim i ri do t’ia shtojë vlerën. Drejtori i ALBTELEKOM-it, Apostol Noti, thotë që futja e një operatori të tretë në tregun e celularëve do të jetë mjaft e dobishme për qytetarët.

“Shpresoj që, përmes liçensës, zbatimit të saj dhe ngritjes së një rrjeti celular, ALBTELEKOM të bëhet tërheqës në treg, të bëhet si në vendet e tjera dhe të synojë drejt një shërbimi celular konkurrues me kompanitë e tjera, për të ulur tarifat e telefonisë celulare në këtë vend”.

ALBTELEKOM ofron tashmë edhe shërbim interneti për të gjithë klientët e vet. Specialistët e kompanisë së vetme dhe më të fuqishme në vend shpjegojnë se për shërbimin celular atë do ta ndihmojnë mjaft edhe strukturat e gatshme teknike që ka të ngritura në të gjithë vendin prej shumë vitesh. Zoti Noti thotë se në të njëtën kohë ALBTELEKOM do të rishikojë të gjitha tarifat e shërbimeve duke i afruar ato sa më shumë me koston reale.

“Do të bëjmë një politikë tarifore që shkon drejt kostos. Në disa raste ato mund të ulen ose mund të rriten. Duke ofruar tarifa të reja fleksibël, do të synohet drejt balancimit të tarifave për familjarë dhe biznese, duke mos e diskriminuar më këtë të fundit, si deri sot”.

Tregu i telefonisë celulare po merr një zhvillim të madh vitet e fundit në Shqipëri. Vodafone dhe AMC kanë arritur brenda 3 viteve të sigurojnë afro 700 mijë klientë, ndërsa ALBTELEKOM vetëm në telefoninë fikse ka 250 mijë të tillë. Specialistët e ekonomisë vërejnë se konkurrenca midis këtyre kompanive celulare, përvec cilësisë së shërbimit, nuk solli ulje çmimesh dhe shumë klientë ankohen për tarifat e larta të tyre.

ALBTELEKOM është një nga ndërmarrjet më të rëndësishme strategjike që pret të privatizohet. Privatizimet vitet e fundit në Shqipëri nuk kanë ecur me ritmet e pritura për shkak të faktorëve të brendshëm dhe problemeve në tregun ndërkombëtar. Autoritetet po përpiqen që kompani, si Banka e Kursimeve, INSIG dhe ALBTELEKOM, të bëhen sa më tërheqëse për investitorët e huaj duke shtuar shërbime të reja.

ECIKS / VOA