Zgjidhja energjetike për Kosovën: largpërçuesi me Shqipërinë

Prishtinë, 22 janar 2004 – Ideja për këmbimin e energjisë elektrike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka ardhur duke ditur se Kosova ka teprica të energjisë gjatë verës dhe mungesa gjatë dimrit, ndërsa në Shqipëri është e kundërta, sepse kapacitetet energjetike shqiptare janë të bazuara në hidrocentrale me ujëDalja nga kriza energjetike në Kosovë, që do të kushtonte më lirë dhe do të arrihej më shpejt, është ndërtimi i largpërçuesit 400 kilovoltësh me Shqipërinë, tha për “Biznesin” Charles Brown, menaxher ndërkombëtar i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK).Brown tha se ndërtimi i termo- ose hidrocentraleve ka një kosto të papërballueshme për Kosovën, sikurse dhe merr një kohë të gjatë ndërtimi i tyre.“Kosova ka nevojë për një “peak power” (kulmi i shpenzimit të energjisë) me Shqipërinë. Mënyra më e mirë e furnizimit me rrymë për Kosovën është ndërtimi i largpërçuesit 400 kilovoltësh me Shqipërinë dhe këmbimi i rrymës”, tha kreu ndërkombëtar i KEK-ut.Sipas tij, përmes këtij largpërçuesi KEK-u do të dërgojë rrymë për Korporatën Elektroenergjetike të Shqipërisë kur ka teprica, sidomos gjatë natës, ndërsa ata do ta kthejnë borxhin kur të kenë teprica.Ideja për këmbimin e energjisë elektrike ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës ka ardhur duke ditur se Kosova ka teprica të energjisë gjatë verës e mungesa gjatë dimrit, ndërsa në Shqipëri është e kundërta, sepse kapacitetet energjetike shqiptare janë të bazuara në hidrocentrale me ujë.Banka Botërore ka ndarë një shumë të mjeteve në vlerë prej 1.1 milion dollarë për hartimin e projektit zbatues të largpërçuesit Shqipëri – Kosovë.Ideja për ndërtimin e termo- apo hidrocentraleve nuk i duket me vend kreut të KEK-ut. Ai tha se nëse supozohet ndërtimi i një hidocentrali në Prizren, do të duheshin gjashtë vjet dhe për atë kohë nuk do të kishte prodhim të energjisë. Ndërtimi i hidrocentralit kushton 60 euro për një megavat, që është dy herë më tepër sesa çmimi i prodhimit në termocentralet e Kastriotit.Menaxheri i KEK-ut shprehet se Kosovës nuk i nevojitet ndonjë termocentral i ri. “Blloqet e ‘Kosovës A’ janë më të reja sesa shumica e termocentraleve në Evropën Juglindore dhe atyre iu nevojitet vetëm riparimi i mundshëm. Nëse ndërroni kazanët, ndërroni elektrostatikët, nëse e përmirësoni sistemin e knotrollit, kostoja e përgjithshme e Kosova A3, A4 dhe A5 do të jetë më pak sesa 50 milionë euro”, tha ai dhe shtoi se në këtë mënyrë do të fitohen tri blloqe të reja që do të funksionojnë të paktën edhe 10 deri 15 vjet. Ndërsa për sa u përket shpenzimeve që nevojiten për ndërtimin e termocentraleve, ai tha se për këtë nevojiten të paktën 200 milionë euro, të cilat vështirë se mund të sigurohen duke llogaritur buxhetin e varfër të Kosovës.Në 5 vitet e fundit Kosova po ballafaqohet me problemet e furnizimit me rrymë në saje të mungesës së riparimit të termocentraleve gjatë viteve 90-të dhe dështimit të qindra miliona euro investimeve në energjetikë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.

ECIKS/Biznesi