Zbatimi i strategjisë zhvillimore nis në prill

PRISHTINË, 26 MARS 2007 – Drejtuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe të Financave (MEF) dhe ish-krerët e Sekretariatit për hartimin e Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës (SPZH), edhe pse pranuan se kohëve të fundit janë ngritur shumë dilema rreth asaj nëse kjo strategji do të fillojë se zbatuari, ata theksuan se strategjia e re s’ka asgjë të përbashkët me nismat e tjera, dhe do të fillojë së zbatuari në fund të muajit prill të këtij viti. Zëvendësministri i Ekonomisë dhe i Financave (MEF), Behxhet Brajshori, tha se është i sigurt se kjo strategji nuk do ta ketë fatin e strategjive të mëhershme, pasi, sipas tij, është momenti i fundit që kjo strategji të miratohet, sepse Kosova nuk ka kohë për të humbur duke hartuar dokumente të tjera.

Ndryshe, një Strategji për Zhvillimin e Kosovës 2003-2008, e pati hartuar Ministria e Tregtisë dhe e Industrisë (MTI), e cila nuk ka gjetur përkrahjen edhe të Qeverisë. Më pas, edhe një grup ekspertësh ndërkombëtarë, ESPIG, janë përpjekur të ndërtojnë një strategji zhvillimore për Kosovën, por edhe ky projekt ka dështuar.

“Nuk mendoj se duhet ta këtë fatin e strategjive të tjera. Është një dokument që do të shërbejë si bazë për një periudhë mjaft të gjatë dhe i cili do të tregojë se në cilin drejtim do të shkojë zhvillimi ekonomik i vendit”, tha Brajshori, i cili shpreson se deri në fund të muajit prill, ky dokument do të jetë i gatshëm, kur edhe do të paraqitet në konferencën e donatorëve për Kosovën, që pritet të mbahet në fillim të verës.

Ish-koordinatori i Sekretariatit për Hartimin e Strategjisë dhe Planit Zhvillimor të Kosovës (SPZH), Muhamet Sadiku, edhe pse pranoi se kohëve të fundit janë ngritur shumë dilema rreth asaj nëse kjo strategji do ta këtë fatin sikur nismat tjera që kanë pasur të njëjtin qellim, ai tha se strategjia e re s’ka asgjë të përbashkët me nismat e tjera, sepse ,sipas tij, në të kaluarën strategjitë zhvillimore kanë tentuar që t’i bëjnë dy deri në tre persona, prandaj ka qenë e natyrshme që si të tilla edhe të dështojnë. Sekretariati për Planin Zhvillimor të Kosovës është shuar në fund të vitit 2006, kur ia ka dorëzuar Qeverisë se Kosovës draftin e hartuar për Strategjinë zhvillimore të Kosovës për vitin 2007-2013. “Strategjinë e re zhvillimore të Kosovës, nga iniciativat e mëhershëm e dallojnë 100 gjëra, së pari, deri te ky dokument kemi ardhur përmes një procesi gjithëpërfshirës.

Kemi zbatuar një sërë aktivitetesh, duke i përfshirë me shumë sukses të gjitha segmentet e shoqërisë kosovare”, tha Sadiku. Ai tha se Strategjia Zhvillimore e Kosovës, e cila është hartuar nga ai dhe ekspertë të tjerë vendorë dhe ndërkombëtarë, nuk mundet të dështojnë pasi, siç tha ai, gjatë hartimit të kësaj, janë mobilizuar të gjitha resurset dhe dija konkurruese që ekziston në Kosovë, e jo dija e një apo dy akademikëve, apo edhe të dhjetë profesorëve. Sadiku tha se draftin e Strategjisë Zhvillimore të Kosovës, ai në fund të vitit të kaluar e ka dorëzuar në Qeveri, përkatësisht në Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave (MEF), e cila, sipas tij, e ka edhe për detyrë që të fillojë ta zbatojë.

ECIKS / Koha Ditore