Korridore të reja ajrore Kosovë – Shqipëri

TIRANË, PRISHTINË, 26 MARS 2007 – Në takimin e parë ndërmjet Agjencisë Nacionale të Trafikut Ajror të Shqipërisë dhe kontrollorëve të trafikut ajror të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës është diskutuar për iniciativën në hapjen e korridoreve të reja kufitare ajrore në mes të këtyre dy vendeve. Të dyja këto qendra të kontrollit të trafikut ajror kanë bërë marrëveshje për çështjet teknike rreth sinjaleve të radio-navigacionit dhe mbulimit të hapësirës ajrore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës me sinjalin e radarit. Ata kanë bërë folur edhe për çështjet e telekomunikimit për këmbimin e të dhënave meteorologjike.

Mbikëqyrësi i kontrolloreve të AP-së, Lorik Abdullahu, ka thënë se me këtë qendër janë marrë vesh që të shkëmbejnë në të ardhmen përvoja të ndryshme ndërmjet kontrollorëve. “Ne do t’ju ofrojmë përvoja prej sistemit meteorologjik, sepse është shumë më i avancuar tek ne, po ashtu edhe përvoja të tjera që kemi përfituar nga shkollimet jashtë vendit, kurse ANTA do të na ofrojë eksperienca të mbikëqyrjes për mbifluturime që neve ende nuk na lejohen”, tha Abdullahu. Pjesë e këtyre marrëveshjeve janë edhe mbulesa e hapësirës ajrore perëndimore të Kosovës dhe pjesës lindore të Shqipërisë me sinjale të radionavigacionit, lidhjeve të telekomunikimit, ndarjen e të dhënave dhe imazheve të radarëve.

Abdullahu tha se mjaft gjëra ndryshojnë ndërmjet këtyre dy qendrave, si politikat e sistemit softverik si dhe të radarit në ANTA, por teknikisht “jemi njëjtë të avancuar”. Të dy këto njësi planifikojnë që të punojnë së bashku me institucionet e aviacionit civil ICAO dhe EASA. Maksim Ethemaj nga ANTA tha se është hera e parë që janë vënë kontakte të nivelit profesional dhe teknik mes dy qendrave të kontrollit të trafikut ajror. Vetëm një rrethojë e metalit ndan terminalin nga pjesa e kontrollit të trafikut ajror në Aeroportin e Rinasit, të dy këto pjesë tashmë të pavarura nga njëra-tjetra. Derisa terminali është koncesionuar, kontrolli i trafikut ajror vazhdon të mbetet i mbikëqyrur nga qeveria e cila gjeneron të ardhura vjetore deri në 12 milionë euro. Agjencia Ndërkombëtare e Trafikut Ajror 90 për qind të të hyrave i merr nga taksat që paguhen për shfrytëzimin e transit të hapësirës ajrore shqiptare, kurse 10 për qind nga aterrimet në Tiranë.

Drejtori i Kontrollit të trafikut ajror, Arben Xhiku, bëri të ditur se ANTA është shoqëri aksionare e Qeverisë shqiptare dhe se edhe njësitë e tjera janë të pavarura ku përfshihen shërbimi meteorologjik dhe ai i zjarrfikësve. Ndërkohë që Shërbimi i kontrollit të trafikut ajror në Prishtinë ende është pjesë e Aeroportit të Prishtinës dhe, për dallim nga ANTA, nuk mund të mbikëqyrë mbifluturimet, pasi që ato janë kompetencë e NATO-s.

ECIKS / Koha Ditore