Vonohet fillimi i punës së Kosova Airlines

PRISHTINË, 09 KORRIK 2003 – Mediat kosovare njoftojnë se fillimi i fluturimeve të Kosova Airlines i paraparë për 15 qershor të këtij viti është duke u shtyer vazhdimisht si pasojë e përgatitjeve të mangëta në këtë drejtim.

Edhepse përfaqësuesi i Eurokohës, Remzi Ejupi, kishte deklaruar kohë më parë se prej shtatorit do të fillojnë fluturimet e para, shtyerja e nënshkrimit të kontratës ka bërë që fluturimi i parë i aviokompanisë së re kosovare të shtyhet për kohë të pacaktuar. Zyrtarët kompetent në UNMIK kanë dhënë si arsye për mosnënshkrimin e kontratës përgatitjen e saj sa më të mirë dhe sa më profesionale. Ndërkaq, Ejupi i kundërshton këto deklarata ngase, sipas tij, shtyerja e kontratës po bëhet si pasojë e burokracisë në UNMIK dhe mosbesimit të plotë ndaj organeve kosovare.
Tenderin për themelimin e agjencisë së parë kosovare e ka fituar ndërmarrja gjermane Hamburg International, me partnerët e saj Eurokoha, Kosova Reisen dhe Malësia Reisen qysh më datën 15 maj. Kontrata do të ketë një kohëzgjatje prej tri vitesh me të drejtë vazhdimi edhe për dy vite të tjera.

ECIKS (K.D.)