Komisioni Evropian është i mendimit se marrëveshjet e tregtisë së lirë, si ajo që Kosova nënshkroi me Shqipërinë, nuk mund të kenë veçse efekte pozitive në forcimin e paqes dhe shtimin e begatisë në rajonin ballkanik. Zëdhënësja e Komisionit Europian, Emma Eduin, deklaron për « Dojçe Velen » se është me rëndësi që në politikën e liberalizimit të shkëmbimeve tregtare që vendet ballkanike po zhvillojnë me njëra -tjetrën, të përfshihet edhe Kosova, me qëllim që ajo të mos kthehet në një njollë të zezë në rajon. Kjo është edhe njëra nga arsyet kryesore që Komisioni Europian ka hartuar për Kosovën një instrument krejt të posaçëm i njohur si Mekanizmi Udhëzues, Tracking Mechanisme, që do ndihmojë në përshtatjen e ligjeve të Kosovës me ato të Bashkimit Europian – deklaron Eduin.
Jehona e nënshkrimit në Prishtinë të marrëveshjes së tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë ka mbërritur deri në Bruksel.
Zyrtarët e BE-së megjithëse nuk janë shprehur publikisht as pro dhe as kundër një marrëveshjeje të tillë, në parim i mbështesin të gjitha hapat që shtetet e rajonit hedhin në drejtim të rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike. Ata nuk shohin asgjë të keqe në shtimin e kontakteve diplomatike ndërmjet Prishtinës, Shkupit, Beogradit, Zagrebit, Tiranës, dhe Sarajevës.
Emma Eduin, zëdhënëse e komisionerit përgjegjës për marrëdhëniet me jashtë Kris Patten, deklaron për « Dojçe Velen » se për Komisionin Europian është me rëndësi që në liberalizimin e tregjeve në rajonin ballkanik të mos ketë boshllëqe. « Nuk do të dëshironim që Kosova të kthehej në një vend të izoluar, në një njollë të zezë në rrjetin e marrëdhënieve ndërballkanike. Parë në këtë vështrim marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës mund të konsiderohet e rëndësishme », – deklaron Eduin, para se të shtojë se edhe Komisioni Europian ka hartuar një mekanizëm të veçantë për Kosovën i njohur si « Mekanizmi udhëzues » ose siç e quan ajo « tracking mekanisme », qëllimi i të cilit është pikërisht që të mos pengohet përparimi i Kosovës si dhe forcimi i lidhjeve të saj me BE-në, vetëm për shkak se statusi i saj përfundimtar nuk është përcaktuar ende. « Do ta ndihmojmë Kosovën në rrugën e saj drejt përparimit pa pritur dhe pa paragjykuar statusin e saj të ardhshëm. Kosovës i nevojitet që të përshtasë ligjet e saj si me fqinjët, por po ashtu edhe me ato të Bashkimit Europian » – deklaron zyrtarja e Komisionit Europian.
Duke iu referuar punës që Shtajneri ka bërë për Kosovën gjatë këtyre 18 muajve, zëdhënësja e komisionerit Patten thotë se Komisioni Europian e ka mbështetur politikën dhe vendimet që Shtajneri ka marrë në Kosovë, të cilat përmblidhen në devizën « standartet para statusit ». E kemi mbështetur gjithmonë Shtajnerin, kemi qënë dakort dhe kemi punuar për së afërmi me të – deklaron Eduin.
Komisioni Europian do të jetë pjesëmarrës në dialogun e ardhshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, megjithëse shumë pikëpyetje për çështjet që do të trajtohen në të, nivelin e përfaqësimit dhe datën e fillimit, mbeten ende për tu vendosur – pohon për « Dojçe Velen » zëdhënësja e Komisionit Europian, Emma Eduin.
ECIKS / DWELLE