Shqipëri: rriten importet – ulet vetëm ai i birrës

Tiranë, 10 KORRIK 2003 – Për gjashtë-mujorin e parë të këtij viti treguesit sasiorë të zhdoganimeve të mallrave të akcizës kanë pësuar rritje. Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar janë zhdoganuar 293 tonë kafe më tepër. Ndërkohë, dhe konsumi i duhanit gjatë po së njëjtës periudhë është rritur ndjeshëm dhe kjo vihet re në rritjen e importit të këtij malli. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar- qershor janë zhdoganuar rreth 2383 tonë cigare. Ndërsa gjatë së njëjtës periudhë të vitit të kaluar janë zhdoganuar 1158 tonë cigare. Në këtë 6 mujor rritje të ndjeshme kanë pësuar dhe importet e karburanteve. Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kësaj periudhe janë zhdoganuar 38 540 tonë karburant më tepër se e njëjta periudhë e vitit 2002. E kundërta ka ndodhur me zhdoganimet e birrës, treguesit e se cilës kanë pësuar një ulje të ndjeshme dhe pse konsumi i këtij malli është rritur. Sipas specialistëve, rënia e zhdoganimit të birrës në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka ndodhur për shkak të rritjes së prodhimit dhe të konsumit të prodhimit vendës.

ZHDOGANIMET

– KAFE
Janë zhdoganuar 2325 tonë nga 2032 tonë kafe që janë zhdoganuar gjatë së njëjtës periudhë të vitit 2002.

– CIGARE
Janë zhdoganuar 2383 tonë nga 1158 tonë cigare që janë zhdoganuar gjatë së njëjtës periudhë të 2002.

– KARBURANT
Janë zhdoganuar 153 379 tonë nga 114 839 tonë që janë zhdoganuar gjatë së njëjtës periudhë të 2002

ECIKS / GAZETA SHQIPTARE