Banka e Shqipërisë ulë normën bazë të interesit me 0.5 %

TIRANË, 11 KORRIK 2003 – Banka e Shqipërisë ulë normën bazë të interesit me 0.5 për qind. Më shumë mundësi kreditimi, ulje të normës së interesit për depozita, por një inflacion stabël gjatë muajve në vijim. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e fundit të tij ka ulur normën e marrëveshjeve të riblerjes dhe për marrëveshjet e anasjellta në 7.5 për qind. Kështu, Banka e Shqipërisë do të pranojë fonde nga bankat e nivelit të dytë në ankandet javore një normë më të ulët interesi, normë kjo që do të ndikojë në uljen e të gjithë normave të interesit në ekonomi. Burime zyrtare pranë bankës qendrore sqarojnë se Këshilli Mbikëqyrës para se të ulë normën bazë të interesit ka marrë parasysh parashikimet e inflacionit, faktorët që priten të ndikojnë në inflacion dhe ecurinë e kushteve monetare në ekonomi. Rritja e normave të interesit gjatë vitit 2002 dha ndikimin e vet pozitiv në kthimin e parasë në sistem dhe kontrollin e presioneve inflacioniste. Reduktimi i tyre gjatë vitit 2003 do t’i afrojë më shumë normat e interesit me nivelet historike, pa prishur ekuilibrin e treguesve monetarë, të rivendosur gjatë vitit 2003. Nga ana tjetër, ulja e normave të interesit do të krijojë më shumë hapësirë për kreditimin e ekonomisë, në mbështetje të rritjes ekonomike. Burime pranë Bankës së Shqipërisë sqarojnë se Këshilli Mbikëqyrës, mbajti gjithashtu parasysh problemet që ekzistojnë për ecurinë e inflacionit dhe respektimin e objektivit të tij në fund të vitit. Faktorë të tillë si: përqendrimi i shpenzimeve buxhetore në 6-mujorin e dytë të vitit, elementet spekulative që shoqërojnë fushatat e zgjedhjeve dhe festat e fundvitit, shqetësimet lidhur me gjendjen energjitike etj., parashikohet të veprojnë më së shumti në ekonominë shqiptare.

ECIKS/SHEKULLI