Mungesa e interesimit të investitorëve të huaj, ndërron kursin e AKM-së
Me të afruar të ditës së fundit për paraqitjen e ofertave për blerjen e gjashtë ndërmarrjeve të nxjerra të parat në shitje, janë shpeshtuar edhe thirrjet e zyrtarëve të AKM-së drejtuar bizneseve kosovare për të marrë pjesë në këta tenderë dhe për të blerë ndonjërën ndërmarrje. Thirrjet e këtij lloji kanë kaluar në një ofensivë, veçmas ditëve të fundit, duke lënë të nënkuptohet se AKM-ja nuk është shumë e kënaqur me interesimin e investitorëve të huaj për të blerë ndërmarrjet shoqërore. Së fundi, javën e shkuar zyrtari i lartë i AKM-së për privatizim, Ahmet Shala, në një mbledhje të Këshillit drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës, ku ishin të pranishëm edhe një numër i biznesmenëve vendorë, ka qenë shumë “agresiv” në ftesën drejtuar kosovarëve që të marrin pjesë në tender, duke e argumetuar këtë me të mirën që u bëhet punëtorëve si dhe gjithë shoqërisë. Ai ka qenë vetëm një rast, por jo edhe i vetmi. E ftohur nga interesimin i huaj, por duke dashur që të tërheqë investues të brendshëm me qëllim që, së paku, faza e parë e privatizimit të mos dështojë, AKM-ja publikon disa herë në ditë në televizionet kosovare informatën për fillimin e privatizimit bashkë me numrat në të cilat mund të drejtohen të interesuarit. Interesimin e vogël të investuesve të huaj e konfirmon edhe numëri i vogël i atyre që kanë marrë formularë për tenderë. Burime nga AKM-ja kanë treguar për gazetën se nga 30 formularë për tenderë, vetëm gjysma e tyre është tërhequr nga të intersuar të jashtëm. Madje ende nuk dihet nëse ata do të paraqesin ofertë apo jo deri më 12 korrik, kur mbyllen tenderët. Të interesuarit, sipas zyrtarëve të lartë të AKM-së, vijnë nga një spektër i gjerë vendesh të huaja, madje edhe nga kontinente të ndryshme, duke filluar nga vendet e Evropës Perëndimore (Gjermania, Zvicra…) e deri te Lindja e Mesme (Arabia Saudite). Elementi i cili ndërlidh thirrjet e shpeshtura të zyrtarëve të AKM-së drejtuar kosovarëve me realitetin, është se gjysma e atyre që kanë tërhequr formularët e tenderëve për fazën e parë të privatizimit janë kompani vendase. Megjithëse nuk dihet se a do të paraqesin edhe këta ofertë apo jo. Zyrtarët e AKM-së ka një kohë që thonë privatisht se 6 NSH-të e para për nga profili si dhe për nga vlera janë konsideruar se do të jenë cak i bizneseve vendase më shumë sesa i investuesve të huaj. Orientimi i AKM-së drejt kosovarëve ka mundësi se lidhet edhe me “venerimin” e interesimit që kanë menaxhmenti dhe punëtorët aktualë të shumicës së NSH-ve që vetë t’i blejnë ndërmarrjet. Një shembull i këtillë janë ndërmarrjet “Termosistemi” në Rahovec dhe “Ringov” në Pejë, ku menaxhmenti dhe punëtorët e tyre kanë thënë publikisht se janë të intersuar t’i blejnë ndërmarrjet. Në “Termosistem”, interesimi nuk është ndalur në fjalë, por edhe janë mbledhur para për të blerë ndërmarrjen. Zyrtarët e lartë të AKM-së, kur flitet për këtë ndërmarrje, thuaja se fare nuk çajnë kokën se kush do të jetë blerësi, por vetëm thonë: “Atë edhe ashtu do ta blejnë menaxhmenti dhe punëtorët”. Të njëjtën gjë këta zyrtarë do të kishin dëshirë ta shohin se ka ndodhur me së paku 5 ndërmarrjet e tjera. Në rast të realizimit të këtij skenari, AKM-ja do të kishte dy argumente të forta në favor të saj para qytetarëve të Kosovës. Argumenti i parë do të ishte suksesi i fazës së parë të privatizimit, ndërsa i dyti se privatizimi nuk po bëhet vetëm që fabrikat t’u shiten “me çmim apo pa çmim të huajve të cilët më pas do të ndërprenin prodhimin në to dhe do t’i shndërronin në deponi”, sikur që thonë disa kundërshtarë të procesit si brenda NSH-ve që privatizohen ashtu edhe jashtë tyre. Shitja e NSH-ve te kosovarët, megjithatë nuk do të kishte efekte shumë pozitive për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë rast privatizimi nuk do të sillte kapital të freskët në ekonominë e vendit, por vetëm do të ndërrohej destinimi i parave që edhe ashtu janë në qarkullim. Kapitali i freskët, kryesisht i huaj, do të nevojitej për të sjellë teknologji të re pasi që shumica e ndërmarrjeve kanë makineri të vjetër dhe ajo duhet të ndërrohet. Kapitali vendas, i mbledhur nga kontributi i një pjese të punëtorëve dhe menaxhmentit, ka shumë gjasa që do të shpenzohet për të privatizuar fabrikën dhe nuk do të mbetet asnjë cent për investime në prodhim. Me makinerinë e vjetër asnjëra fabrikë nuk do të ishte më konkurrente në treg se që është sot, edhe pse ndërrohet pronari. Të dy argumentet e AKM-së, të përmendura në rast se NSH-të blehen nga kosovarët, do të vlenin edhe sikur ndonjëra ndërmarrje të kalonte në duar të diasporës shqiptare. Në rast se ndodh ndonjë transaksion i tillë, AKM-ja do të duhej të kujdesej që diaspora që blen në Kosovë të jetë me hipotekë të pastër, dhe që kapitali i dyshimtë të mos hyjë në proces, sepse do të ishte i rrezikshëm. Të mos ndodh që dikujt të mos i lejohet të investojë para në ndonjë NSH me emrin e tij për shkak se autoritetet dyshojnë që paratë e tij nuk janë të “pastra”, ndërsa që i njëjti pak më vonë të jëtë aty i pranishëm me kapital, por në emër të dikujt tjetër. Sikur ka ndodhur në disa raste të tjera vitet e kaluara.
Koha Ditore (Astrit Gashi)