Korridori i mbetur në letra dhe në premtime

Në Takimin e ministrave të jashtëm dhe zyrtarëve të lartë të vendeve që perfshihen në Korridorin 8, mbajtrur në Tiranë, u fol hapur se ndërtimi i këtij korridori është një çështje që ka mbetur më shumë në letra dhe premtime. “Aksi strategjik dhe integrues Durrës-Tiranë-Shkup-Sofje-Varna do t’u shërbejë jo vetëm lidhjeve të qëndrueshme ekonomike rajonale, por do të lehtësojë shkëmbimin e mallrave, kapitaleve, levizjes së lirë të njerëzve, si dhe do të nxisë shkëmbime afatgjata të vlerave kulturore, sociale, akademike, fetare dhe politike”- u tha në takim. Projekti për ndërtimin e Korridorit 8 zë fill nëntë vjet më parë kur në Konferencën e dytë panevropiane të transportit, në Kretë të Greqisë, u miratuan planet e ndërtimit të dhjetë korridoreve të transportit në territorin e kontinetit të vjetër. Vetë korridori 8 lidh detin Adriatik me detin e zi, një aks që kalon në Shqipëri, Maqedoni dhe Bullgari, në aksin Durrës- Tiranë- Shkup- Sofje- Varna. Që nga Konferenca e Kretës janë rregjistruar dhe shumë takime e konferenca rajonale, por në realitet Korridori 8 ecën mjaft ngadalë në konkretizimin e projekteve konkrete. Ky ishte dhe një nga konstatimet e përbashkëta të Takimit të Tiranës, ku morrën pjesë ministrat e jashtëm dhe zyrtarë të lartë të qeverive të Shqipërisë, Maqedonisë, Bullgarisë, Turqisë, Greqisë, si dhe vendit mbikëqyrës të këtij projekti, Italisë. Pjesëmarrësit në tryezë kërkuan më shumë mbështetje nga BE-ja dhe institucionet ndërkombëtare finaciare për fonde në përshpejtimin e ndërtimit të këtij korridori jetik dhe strategjik për rajonin dhe Evropën në tërësi. Korridori, u tha në takim, nuk është thjesht vetëm ndërtimi dhe rikonstruktimi i rrugëve, hekurudhave, aeroporteve dhe aktiviteteve të tjera që lehtësojnë transportin. Ai do t’u shërbejë lidhjeve të qëndrueshme të ekonomisë rajonale, lehtëson shkëmbimin e mallrave, kapitaleve, bizneseve dhe lëvizjen e lirë të njerëzve, nxit shkëmbime të qëndrueshme dhe afatgjata të vlerave kulturore, sociale, akademike, fetare dhe politike. Ministri i Transportit i Shqipërisë, Spartak Poçi, fajëson palën italiane që duhej të ishte treguar më aktive, në implemtimin e projektit të Korridorit 8. “Që nga firmosja në shtator të vitit të kaluar, në Bari të Italisë, të memorandumit të mirëkuptimit nga ministrat e transportit të vendeve që përfshihen në Korridorin 8, problemet që lidhen me finacimet dhe prioritet e këtij korridori pothuajse kanë ngecur”, pohon Poçi. Ndërsa ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, vendi i të cilit nisi në fillim të muajit udhëheqjen e presidencës së BE-së, garantoi vendet që përfshihen në Korridorin 8 për mbështjetje të të gjitha projekteve përbërëse zhvilluese të këtij korridori. “Por do të jenë vetë vendet e rajonit që duhet të japin sinjale të besimit për reformat që kryejnë, për luftën kundër trafiqeve dhe korrupsionit. Ekziston një instrument shumë i rëndësishëm i BEsë për afrimin në të dhe të vendeve të rajonit të Ballkanit marrëveshjet e asocim stabilizmit. Ne kemi nevojë për një rajon ballkanik me standarde evropiane. Kjo pikësëpari arrihet vetëm nëpërmjet reformave konkrete në planin e brendshëm, si dhe nga kooperimi mes këtyre vendeve”, tha shefi i diplomacisë italiane Fratini në takimin e Tiranës. Për ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, “përfundimi i korridorit 8 ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin politik në rajonin tonë, do ta ndihmojë këtë rajon për t’u integruar më mirë në vetvete dhe njëkohësisht drejt Bashkimit Evropian”. Gjatë takimit të Tiranës u vu në dukje se – të vetëm dhe të palidhur me njëri-tjetrin vendet e rajonit do të shfaqen të vogla dhe të parëndësishme. Të ndërvarur dhe ndërlidhur me njëri-tjetrin, si një bashkësi solide rajonale, ne bëhemi treg i konsiderueshëm dhjetra milionësh dhe një rajon strategjik për shkëmbimet rajonale, evropiane dhe globale. Një nga mekanizmat në funksion të kësaj ideje është ndërtimi i Korridorit 8, si një korridor i zhvillimit dhe integrimit.

Koha Ditore (Arben Muka)

This website uses cookies to improve its performance and the relations with its audience. For more information on data protection see our Privacy Policy.