Vonohen pagat e korrikut për 47 organizata buxhetore

Prishtinë, 4 gusht 2005 – Ministria e Ekonomisë dhe Financave lajmëroi për vonesën e pagesës së pagës së Korrikut për 47 organizatat buxhetore për shkak të tejkalimit të numrit të të punësuarve ose mbipagesës së pagave të të punësuarve. Më shumë se 1,000 të punësuar në sektorin publik pritet të përfshihen nga vendimet e marra të Menaxherëve financiar dhe administrativ për ato organizata që i kanë tejkaluar kufijtë buxhetor.

Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës mori vendim për ngrirjen e punësimit në sektorin publik. Organizatat buxhetore të cilat kishin numër të madh të të punësuarve se sa iu lejohet me ligjin mbi Buxhetin 2005 dhe ju dha një afat kohor deri në fund të Qershorit që të reduktojnë këtë numër, kurse menaxherët u obliguan që ti dorëzojnë planet e tyre për menaxhimin e mjeteve, me theks të veçantë në sqarimin e asaj se si ata do ti respektojnë kufijtë e përcaktuar buxhetor. Shqyrtimi i gjendjes nga ana e një komisioni të përbërë nga përfaqësuesit e MEF-it dhe Ministrisë së Shërbimeve Publike tregoi se disa programe në ministri dhe në komuna ende janë mbi limitet buxhetore. Vendimi i sotëm i Departamentit të Thesarit pranë MEF-it për ti mos proceduar pagat e Korrikut për disa organizata buxhetore pasqyron përkushtimin e fuqishëm për respektimin e vendimit të Qeverisë në kufizimin e rritjes së vëllimit të shpenzimeve publike. Pritet që menaxherët financiar të organizatave buxhetore të cilat i kanë shkelur kufijtë buxhetor të japin sqarime për situatën e tyre deri në javën e ardhshme.

Masat e Qeverisë që do të ndërmerren ndaj atyre menaxherëve të cilët nuk kanë bërë një zgjedhje adekuate për të punësuarit e tyre, do të përcaktohen në javën e ardhshme në mbledhjen e Qeverisë. Pagesat e pagave të Korrikut për të punësuarit e përfshirë gjithashtu priten të procedohen shpejtë pas mbledhjes së Qeverisë.

Zotimi i Qeverisë për ta siguruar qëndrueshmërinë e buxhetit 2005 e hap shtegun për arritjen e prioriteteve të saja për :
(1) plotësimin e standardeve ,
(2) ndërtimin e infrastrukturës ekonomike dhe
(3) rritjen e efikasitetit të Qeverisë.

Mirëpo, këto prioritete nuk mund të arrihen nëse menaxherë të caktuar të organizatave buxhetore nuk i menaxhojnë në mënyrë efektive aktivitetet e tyre brenda buxhetit ekzistues. Element kyç në Strategjinë Afatmesme buxhetore – plan ky strategjikë për menaxhimin e financave qeveritare gjatë tri viteve të ardhshme – i aprovuar nga Qeveria dhe Këshilli Ekonomik dhe Fiskal përmban kufizime të vëllimit të sektorit publik me qëllim të maksimalizimit të mjeteve buxhetore të cilat do të mund të orientohen në shërbimet sociale dhe në zhvillimin ekonomik. Vonesa e pagave ka për qëllim që t’iu mundësoj agjencive shpenzuese që në bazë të udhëzimeve të qarkores të bëjnë rregullimet e kaluara me ligjin mbi buxhet dhe t’ia tërheqë vëmendjen e opinionit publik për këtë problem të shkaktuar nga menaxherët e papërgjegjshëm të cilët nuk e përfillin vendimet e Kuvendit dhe të Qeverisë. Nëpërmes të veprimeve të tyre, ata jo vetëm që i minojnë institucionet demokratike në Kosovë, por gjithashtu në mënyrë të padrejtë i dënojnë të punësuarit të cilët kanë rënë viktimë e këtyre veprimeve. Kjo informatë për opinion publik jepet me qëllim që të informohen punëtorët e organizatave buxhetore të cilat gjenden në listën e bashkangjitur në vonesën e përkohshme të pagave për muajin korrik 2005, njofton zyra për marrëdhënie me publikun pranë MEF.

ECIKS / RTKLive