FMN: Kosova në 2005 me rritje ekonomike negative

Prishtinë, 22 korrik 2005 (VoA) – Aktivitetet ekonomike në Kosovë janë ngadalësuar dukshëm, përderisa popullata shumicë shqiptare përballet me problemin e zvogëlimit të ndihmave nga donatorët perëndimor, ka thënë “Zëri i Amerikës” (VOA) të enjten.

Sipas vlerësimeve më të reja të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), ekonomia kosovare këtë vit nuk do të shënojë rritje, dhe madje – madje mund të shënojë rënie prej 0.5%.

Përfaqësuesi i FMN-së në Kosovë, Marc Auboin, tha se FMN-ja po bënë gjithçka është e mundur në mënyrë që të sigurohen që Kosova të mos mbetet pa para.

“Po mundohemi që t’ju ndihmojmë që me paratë të cilat ju kanë mbetur në banka të kalojnë vitet 2005 dhe 2006 në mënyrë që së paku situata makroekonomike të mos jetë pengesë për zgjidhjen e statusit”, ka thënë Auboin.

“Papunësia është rreth 30%, dhe nuk dihet se në çfarë përmasash po rritet në këtë periudhë për shkak të ngecjes ekonomike. Ndërsa për shkak se Kosova ka popullatën më të re në Kosovë, për çdo vit shënojmë shtim enorm të fuqisë punëtore. Nga kjo del se vitin e ardhshëm, ekonomia nuk do të jetë në gjendje që të absorbojë të gjithë punëtorët e rinj”, ka thënë zyrtari i këtij Fondi.

ECIKS