Riaktivizohet pas pesë vjetësh kompleksi industrial "Trepça"

Mitrovicë, 4 gusht 2005 – Kompleksi industrial Trepça, dikur gjiganti ekonomik i Kosovës, është riaktivizuar pas pesë vjetësh. Në dy minierat e Trepçës ka filluar prodhimi i mineraleve, ka konfirmuar për mediat menaxheri i Trepçës për pjesën veriore, Jovan Dimkiç. Sipas tij, këto dy miniera janë fitimprurëse, dhe në muajt e parë të prodhimit pritet të nxirren 50-60 mijë tonë minerale, ndërsa më vonë rreth 100 mijë tonë. Dimkiç tha se për një vit pret që të realizohen 5 milionë euro. Rinovimi i infrastrukturës në miniera, rrugët e bartjes dhe sistemi i ventilimit janë bërë me mjetet e ndara nga buxheti i Kosovës. Menaxheri i Trepçës për pjesën veriore, Jovan Dimkiç, ka paralajmëruar se për një muaj do të fillojë prodhimi në repartet për përpunimin e mbeturinave të grumbulluara në kuadër të Metalurgjisë së Plumbit në Zveçan. Zyrtarë të Ministrisë së Minierave dhe Energjetikës kanë pohuar se në minierën e Stan Tergut në rrethinën e Mitrovicës ka filluar testimi i prodhimit të koncentratit të mineraleve. Shyqyri Kelmendi, nga Ministria e Minierave, ka thënë se nëse testimi është i suksesshëm, prodhimi do të fillojë nga fundi i muajit gusht.

ECIKS / Biznesi