Durrës, 17 nëntor 2004 – Vonohen punimet për thellimin e basenit dhe të kanalit hyrës të portit detar të Durrësit. Ky thellim do të realizohej nga firma daneze “Rohde and Nielsen”, e cila ka fituar dhe tenderin për nxjerrjen nga thellësia të anijeve të mbytura dhe thellimin e portit. Ndonëse prej më shumë se një muaji firma daneze ka përfunduar largimin e anijeve të mbytura, ajo nuk ka filluar sipas grafikut thellimin e portit. Sipas burimeve nga autoriteti portual, afati i fundit i përcaktuar për fillimin e punimeve ka qenë 18 tetori, por me pretendimin se akoma nuk ka mbërritur draga që do të bëjë thellimin e kanalit hyrës dhe basenit të portit, punimet nuk kanë filluar. Nga ana e saj, kapiteneria e portit për t’u hapur rrugën këtyre punimeve ka larguar dhe anijet e papuna nga porti. Çdo vonesë në thellimin e portit ndikon drejtpërdrejt në mosfutjen e anijeve të tonazhit të lartë në portin e Durrësit. Përsa u përket anijeve të nxjerra nga thellësia një pjesë e tyre po përdoren për skrap në një kohë që anije të tjera të cilat nuk kanë strehë në port mund të strehohen përkohësisht në distriktin detar të Durrësit, baseni i të cilit është parashikuar gjithashtu që të thellohet nga draga e firmës daneze “Rohde and Nielsen”. Fondi prej 3 milionë eurosh për thellimin e portit dhe largimin e anijeve të mbytura është në kuadrin e kredisë 17 milionë euro të Bankës Europiane për Investime. Me fondin prej 10 milionë eurosh ka përfunduar faza e parë e punimeve për rehabilitimin e kalatave të portit detar të Durrësit, punime të cilat po realizohen nga firma kroate “Meonte Montaza”. Punimet e fazës së parë janë përqëndruar në kalatat zero, katër, pesë dhe gjashtë ku është bërë evadimi total i të gjitha shtresave ekzistuese të amortizuara të betonit të kalatave të portit, si dhe është përgatitur terreni për fillimin e punimeve për përgatitjen e terminalit të kontenjerëve në kalatën 6 të portit, që do të ketë përmasa dhe kushte bashkëkohore.
ECIKS / Shekulli