LDK-AAK-PShDK përbëjnë koalicionin e ri qeveritar

Prishtinë, 17 nëntor 2004 – Lidhja Demokratike e Kosovës, parti kjo që fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e 23 tetorit, përfundimisht ka vendosur sot të bëjë një koalicion qeverisës me AAK-në dhe PSHDK-në për ndërtimin e institucioneve të reja në Kosovë. Kështu është vendosur sot në mbedhjen e Kryesisë së LDK-së, duke i dhënë fund spekulimeve të deritashme rreth formulës qeverisëse mes subjekteve politike. LDK-ja thotë se bashkë me partnerët e koalicionit, në ditët që vijnë do t’i bëjë të ditura modalitetet e marrëveshjes.

Ramush Haradinaj i ka deklaruar Radio Kosovës se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka mirëpritur vendimin e Lidhjes Demokratike për ofertën e kësaj partie për koalicion me të dhe Partinë Shqiptare Demokristiane. Në një deklaratë për media, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, shprehet i bindur se vendimi është marrë duke pasur parasysh interesin e vendit. Përndryshe, në deklaratë thuhet: “Kryesia e LDK-së në mbledhjen e vet të mbajtur sot më 17.11.2004, me qëllim të përshpejtimit të procesit të ndërtimit të institucioneve të reja demokratike të Kosovës, duke u mbështetur në rezultatin e zgjedhjeve të 23 tetortit 2004, dhe duke pasur parasysh gatishmërinë e subjekteve të tjera për koalicionin qeverisës me LDK-në, vendosi të bëjë koalicion me AAK-në, PSHDK-në dhe me subjektet e tjera politike të komuniteteve joserbe”. LDK-ja, në ditët në vijim, së bashku me partnerët e koalicionit do të bëjë publike modalitetet e marrëveshjes së koalicionit.

ECIKS / RTK