Vazhdon loja me privatizimin

Prishtinë, 10 shkurt 2004 – Nikolaus Lambsdorff shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut tha se vizita e tij në Nju-Jork ka qenë udhëtim i zakonshëm dhe nuk ka asgjë të veçantë që duhet raportuar për privatizimin. Instruksionet, për të cilat zyrtari i UNMIK-ut tha se i ka marrë nga Nju-Jorku, sugjerojnë se procesi i privatizimit duhet të përmirësohet dhe në këtë drejtim thuhet se është duke punuar AKM-ja kohët e fundit. Lambsdorff tha se AKM-ja duhet të vërtetojë se ndërmarrjet që privatizohen janë shoqërore, por një problem shumë i madh në këtë drejtim paraqitet gjendja e dokumenteve zyrtare.

Derisa gazetarët prisnin detaje dhe plane për vazhdimin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, kreu i Shtyllës IV tha se gjatë qëndrimit të tij në Bruksel dhe Nju-Jork ka biseduar për standardet, dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, rolin e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë dhe për disa çështje administrative që kanë të bëjnë me Shtyllën IV të UNMIK-ut.

Në takimin me mediat Lambsdorff nuk ka dhënë asnjë propozim i cili do të ishte më i afërt me qëndrimin e qeverisë që do të shpejtonte vazhdimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore.

Që nga ardhja e Nikolaus Lambsdorff në krye të Shtyllës IV të UNMIK-ut dhe njëkohësisht në krye të bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), marrëdhëniet me qeverinë dhe vendësit janë ashpërsuar shumë më tepër në krahasim me kohën kur në krye të AKM-së ndodhej Andy Bearpark.

Pakënaqësitë
Qeveria ka vërejtje për punën e Lambsdorff-it. Sipas saj, ai ka ndërprerë privatizimin më 5 tetor, pa pëlqimin e bordit të AKM-së. Qeveria është informuar vetëm nga mediat edhe për disa vendime tjera të Lambsdorff-it. Këto vendime kanë të bëjë me emërimin e Marie Fucci-t në krye të menaxhmentit të AKM-së, ristrukturimi që iu bë agjencisë sipas të cilit vendësit dhe ekspertët e USAID-it u emëruan në pozita periferike, ideja për zbatimin e ligjeve të Milosheviçit në privatizim, rishqyrtimi i statusit të ndërmarrjeve shoqërore etj.

Shumica e pyetjeve të gazetarëve kishin të bënin me çështjen e zhbllokimit të privatizimit, ndërkohë që Lambsdorff tha se AKM-ja duhet të ratifikojë një numër të kontratave të shitjes, por nevojiten vendime urgjente nga bordi, që kanë të bëjnë edhe me ndryshimin e politikave operacionale në bazë të udhëzimeve nga Nju-Jorku.
Lambsdorff u tërhoq të premten nga pohimet e dhëna një ditë më parë kur tha se privatizimin po e bllokojnë vendësit duke bojkotuar mbledhjet e bordit të AKM-së.
“Për procesin e privatizimit unë nuk kam fajësuar askënd, por takimi i fundit i bordit të AKM-së nuk ka qenë i suksesshëm sepse nuk ishim ne gjendje të votojmë për shumicën e pikave të rendit të ditës”, tha Lambsdorff.

Sipas tij, për vendime të rëndësishme nevojitet konsensus ose më tepër vota të anëtarëve vendës dhe ndërkombëtarë të bordit të AKM-së.

Lambsdorff përsëriti idenë për ndryshimin e politikave operative me të cilat punon AKM-ja, të cilat po kundërshtohen ashpër nga anëtarët e qeverisë në bordin e AKM-së.

Bordi i AKM-së përbëhet nga tetë anëtarë, katër ndërkombëtarë, tre përfaqësues të qeverisë dhe një anëtar përfaqësues i sindikalistëve.

Menaxhimi i ndërmarrjeve publike ishte një temë tjetër për të cilat është biseduar në takimin e sotëm me gazetarë, të cilët kishin vërejtje ndaj UNMIK-ut se nuk po i publikon rezultatet e auditimit të tyre.

Janë bërë disa auditime në ndërmarrjet publike, por ato asnjëherë nuk iu kanë paraqitur opinionit publik. Lambsdorff tha se vendimin për publikimin e tyre e merr shefi i UNMIK-ut.

Sipas tij, shumica e problemeve me të cilat ballafaqohen ndërmarrjet publike ne Kosovë janë të natyrës së menaxhimit dhe kërkojnë një menaxhment të ristrukturuar duke përfshirë edhe KEK-un.

ECIKS / Biznesi