Qeveria pajtohet me ndryshimin e disa procedurave të privatizimit

Prishtinë, 11 shkurt 2004 – Kreu i qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, është shprehur të hënën i gatshëm për ndërrimin e disa pjesëve të politikave zbatuese të privatizimit, por ishte kategorik në qëndrimin që i përket kërkesës për dorëheqjen e drejtoreshës së AKM-së, Mari Fucci.

Ideja për ndryshimin e politikave operacionale të AKM-së është ngritur para 6 muajsh, kur në krye të Bordit të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit erdhi Nikolaus Lambsdorff dhe menaxherja Mari Fucci. Kjo ide atëherë ishte kundërshtuar ashpër nga qeveria.

Thelbi i ndryshimeve të politikave operacionale ishte propozimi që gjatë shqyrtimit të statusit të ndërmarrjeve shoqërore në Kosovë të aplikohen ligjet e ish-regjimit serb të viteve 90-të.

Me propozimin e qeverisë, Kuvendi i Kosovës shpalli më 11 dhjetor të vitit të kaluar inekzistente të gjitha ligjet e miratuara nga regjimi i Millosheviçit në Kosovë. Ky vendim menjëherë ishte anuluar nga PSSP-ja, duke e cilësuar atë si kalim të kompetencave të institucioneve vendore.

Kryeministri nuk saktësoi të hënën se për çfarë ndryshimesh në politikat operacionale konkretisht e kishte fjalën, por burime të “Biznesit” në Prishtinë thanë se qeveria mund të bëjë koncesione vetëm për ndryshimin e politikave të shitjes, mënyrën e zgjedhjes së fituesit dhe shumën e depozitit për pjesëmarrje në tender, e asesi në aplikimin e ligjeve nga koha e regjimit serb.

“Jemi të hapur për ndërrimin e disa pjesëve të politikave operuese, që privatizimi të jetë më i suksesshëm”, tha Rexhepi, dhe shtoi se ende qëndron prapa qëndrimit se AKM-ja kishte menaxhim të dobët dhe se duhet të largohet menaxherja e saj.

Kryeministri tha se për çështjen e privatizimit ai ka diskutuar gjatë vizitës së tij në Uashington me nënsekretarin amerikan për Punë të Jashtme, Marc Grossman. Çështja e privatizimit ishte gjithashtu temë debati edhe gjatë takimit që kryeministri zhvilloi me drejtuesit e USAID-it në Shtetet e Bashkuara.

“Ne i kemi ngritur shqetësimet tona se privatizimi lidhet edhe me përmbushjen e standardeve dhe një humbje kohe 6 muaj është e papranueshme”, tha Rexhepi.

Privatizimi, arsye kundërshtimesh
Procesi i privatizimit në 6 muajt e fundit është bërë shkaku kryesor për kundërshtimet midis UNMIK-ut dhe qeverisë. Procesi i privatizimit u ndërpre me 5 tetor të vitit të kaluar, sipas një vendimi pa asnjë konsultim paraprak, që mori shefi i Shtyllës IV të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorff.

Sipas zyrtarëve të UNMIK-ut, procesi i privatizimit “është duke vazhduar”, por që nga ardhja në krye të AKM-së e Lambsdorff dhe Fuccit vetëm një kontratë për shitjen e një ndërmarrjeje shoqërore është nënshkruar, ajo për “Termosistemin” e Rahovecit.

Javën e fundit Lambsdorff dhe anëtarët vendorë të Bordit të AKM-së kanë këmbyer akuza reciproke se pala tjetër është fajtor për bllokimin e procesit të privatizimit.

Lambsdorff ka thënë se bojkotimi i mbledhjeve të Bordit të AKM-së nga dy ministrat e qeverisë janë arsye për zvarritjen e procesit të privatizimit, ndërsa anëtarët e qeverisë thonë se nuk e shohin të arsyeshme të mblidhet bordi i AKM-së derisa të mos zbatohen vendimet që ata kanë marrë së bashku në takimin e fundit me 16 dhjetor të vitit të kaluar.

Në mbledhjen e fundit të bordit të AKM-së ishte vendosur që para vitit të ri të shpallet raundi i tretë i privatizimit dhe të nënshkruhen kontratat për shitjen e 17 ndërmarrjeve shoqërore të raundit të dytë, por asnjëra nga këto vendime nuk është zbatuar.

Këtë javë priten disa zhvillime të reja sa i përket privatizimit. Shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri, gjatë një interviste telefonike nga Nju-Jorku, menjëherë pasi që raportoi para Këshillit të Sigurimit për situatën në Kosovë, tha se këtë javë do të merret një vendim për vazhdimin e privatizimit.

ECIKS/Biznesi