Bordi i ART-së shqyrton procedurat e tenderit të TC-së

Prishtinë, 11 shkurt 2004 – Bordi i ART-së (Autoriteti Rregullativ i Telekomunikacionit), ka shqyrtuar procedurat parakualifikuese të tenderit të telefonisë celulare. Në bazë të kritereve të parapara nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit, ART-ja për fazën e parë, ka konstatuar se kompania InvestCOM nuk ka plotësuar kushtin minimal të dorëzimit të tri (3) kopjeve në gjuhën angleze; gjë që u theksua edhe me rastin e hapjes publike të dokumentacionit, më 6 shkurt. Bordi i ART-së është duke vazhduar punën në shqyrtimin e dokumentacionit të kompanive të tjera pjesëmarrëse, mbështetur në kriteret e përcaktuara nga Ministria e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit. Bordi i ART-së konfirmon se mbështet plotësisht në standardet ndërkombëtare dhe në Ligjin për Telekomunikacionin duke garantuar veprimtari të hapur dhe vendimarrje: transparencë objektive, profesionale, të pavarur dhe sipas mundësive teknike efikase. Bordi i ART-së, konform Nenit 79 të Ligjit Aplikativ, u bën me dije të gjithë ofruesve të shërbimeve telekomunikuese, pavarësisht nga statusi i tyre juridik, që tani e tutje duhet t’i nënshtrohen këtij ligji. Bordi i ART-së fton të gjithë ekspertët vendorë, institucionet shkencore, pjesëmarrjen e sektorit privat, shoqërinë e gjerë civile si dhe organizmat ndërkombëtar (UNMIK-u, OSCE-në, KFOR-in, Zyrat diplomatike) të marrin pjesë aktivisht, të ndihmojnë dhe përkrahin në rregullimin dhe zhvillimin e sektorit të telekomunikacionit në Kosovë, thuhet në një komunikatë të kësaj Ministrie.

ECIKS/Balkanweb