Konkurrencë e ashpër për linjat ndërurbane

Prishtinë, 12 shkurt 2004 – Një konkurrencë e ashpër që shpesh përfundon edhe me kacafytje dhe ngatërresa, po zhvillohet që prej dy vjetësh ndërmjet gjashtë kompanive private të Ferizajt për transportin e udhëtarëve, “Kosovatransit” dhe pronarëve të furgonëve në anën tjetër.

Dy vite më parë, brenda pak muajsh, u paraqitën njëra pas tjetrës kompani për transportin e udhëtarëve me mbi 300 vetura luksoze ngjyrë portokalli të regjistruara si taksi. Mirëpo për shkak të numrit të madh në raport me numrin e banorëve, ndërmarrjet i kanë hyrë një rivaliteti deri në pengimin e njëri-tjetrit në punë.

Konkurrenca gjithashtu ka sjellë rënien e punës dhe përfitimeve nga veprimtaria e taksisë, por firmat nuk jepen. Ato janë të bindura se disa prej tyre do të eliminohen vetvetiu, ndërkaq pronarët nuk janë shumë të disponuar të flasin për rivalitetin.

“Mund të largohesh nga puna nëse shefi heton se po flet me ndonjë koleg të firmës rivale, e të mos flas për të tjerat”, thotë në kushte anonimiteti, një shofer taksie. “Të them të drejtën, ka ditë kur nuk fitoj më shumë se 2-3 euro gjatë turnit prej 10 orësh, por nuk kam zgjidhje tjetër”, u ankua shoferi.

Ndërkaq, jo rrallë, madje edhe në formë protestash, ndërmarrja publike “Kosovatrans” e Ferizajt është ankuar për konkurrencë të padrejtë sidomos të furgonëve në linjat ndërurbane. Kjo ndërmarrje ka humbur në konkurrencë me taksitë edhe në linjat brenda Ferizajt. Një linjë urbane autobusi, që do të përshkonte rreth e qark qytetin e Ferizajt, u ndërpre vetëm disa ditë pasi nisi punën, meqë taksitë u treguan shumë më të shkathëta në raport me udhëtarët.

Mirëpo autoritetet që merren me zbatimin e ligjit, thanë të martën se së shpejti pritet të vihet rend në transportin e udhëtarëve. Ligji për komunikacionin rrugor, i miratuar kohë më parë nga Kuvendi i Kosovës, pritet të nënshkruhet deri në fund të marsit nga PSSP dhe të hyjë në fuqi.
“Ligji kërkon që drejtuesi i taksisë të jetë i licensuar, të ketë patentë së paku dy vjet, që automjeti të jetë në gjendje të mirë teknike, kurse secila kompani duhet të ketë ngjyrë të veçantë për automjetet e veta”, shpjegoi inspektori i trafikut në Ferizaj, Hajrush Leka.
Inspektorati i trafikut në Ferizaj gjithashtu ka bërë të ditur se ligji do të përjashtojë furgonët si taksi në linjat ndërurbane, ndërsa taksitë do të marrin leje për transport të udhëtarëve vetëm në një linjë.

ECIKS/Biznesi