Shqipëria dhe Kosova drejt njësimit të tregut të punës

Tiranë, 8 shkurt 2004 – Shqipëria dhe Kosova do të punojnë për të krijuar një treg të përbashkët pune. Dje, gjatë konferencës kombëtare “Dialogu social në Shqipëri; arritjet dhe sfidat”, organizuar nga Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, u parashtruan strategjitë e zhvillimit ekonomik midis Shqipërisë dhë Kosovës. Ministri i Punëve dhe Çështjeve Sociale Engjëll Bejtaj, tha se aktiviteti zhvillohet në linjë të programit dhe zbatimit të politikave të bashkëpunimit të qeverisë me partnerët socialë. “Problemet e mbrojtjes sociale, të pagave, të politikave të tregut të punës, të formimit profesional, të mbrojtjes dhe sigurimit në punë, të privatizimit, që ndikojnë drejtpërdrejtë në standardin e kostos së jetës në shoqëri, janë sfidat që paraqiten para nesh”, tha ai. Kjo deklaratë u bë si përgjigje ndaj pakënaqësive të shfaqura prej popullsisë që është duke zhvilluar protesta dhe kundërshtuar rritjen e çmimeve të shërbimeve dhe të konsumit të përditshëm, si tarifave të telefonisë fikse, energjisë elektrike dhe së fundi çmimit të bukës.
Ministri i Punës së Kosovës, Ahmet Isufi, deklaron se delegacioni kosovar ka ardhur në Tiranë për të shkëmbyer të rejat më të fundit rreth zhvillimeve partnere dhe për ngritjen e dialogut social. Pyetur se si paraqitet në relacionin katërvjeçar, i fundit në fushën sociale në Kosovë, ministri kosovar Isufi thotë: “Kosova është në fazën e një zhvillimi të mirëfilltë. Aktualisht me krijimin e insitucioneve është vënë vetëm baza e parë, ajo e ngritjes së institucioneve, por gjendja është e rëndë se në vend 57% janë të papunë dhe kjo është tragjike duke pasur parasysh moshën e re të popullatës”.
Përfaqësuesi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë (BSPSH), Gëzim Kalaja, kërkoi prej qeverisë vijimin e negociatave me qëllim marrjen e masave për t’i paraprirë ngritjes së çmimeve me të cilat po përballet popullata. “BSPSH-ja nuk e ka përjashtuar asnjëherë rëndësinë e dialogut social, pasi kështu arrihet më tepër sesa prej protestave. Po ashtu, zhvillimin e një strategjie për të stabilizuar situatën dhe për të përmirësuar jetën e popullsisë, hapjen e vendeve të lira të punës, respektim i standardeve ndërkombëtare në tregun e punës bazuar në konventat ndërkombëtare, ku gjejnë pasqyrim të drejtat dhe liritë themelore të njeriut etj.”

ECIKS / Biznesi