Shqipëri: Qeveria lejon hyrjen e produkteve të modifikuara gjenetikisht

Tiranë, 9 shkurt 2004 – Projektligji i paraqitur nga Ministria e Mjedisit mbi organizmat e modifikuar gjenetikisht (OMGj) është i mangët dhe aspak në përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian. Shqipëria në kuadër të Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me BE-në ka një detyrim që legjislacionin e saj ta përafrojë me atë të Europës. Por në këtë projektligj nuk janë përmendur elementet bazë të legjislacionit të Bashkimit Europian për këto OMGj. Lavdosh Ferruni, kryetar i Shoqatës së Bujqësisë Organike, shprehet për gazetën “Biznesi” se në projektligjin e propozuar nga Ministria e Mjedisit nuk janë përfshirë disa elemente kryesore, si etiketimi i këtyre produkteve për përmbajtjen e tyre bioteknologjike etj. Etiketimi, shprehet ai, i këtyre produkteve është i domosdoëshëm pasi kjo do t’i mundësonte çdo fermeri apo konsumatori shqiptar për të ditur për produktet që ai mund të konsumojë. Një element tjetër i cili nuk është përfshirë në këtë projektligj dhe që sigurisht është bazë në atë të BE-së është origjina e kontrollit pra çdo imtësi për vendin ku është prodhuar, fermerin i cili e ka prodhuar dhe çdo informacion tjetër i cili nevojshëm për origjinën e prodhimit. Ferruni shprehet se një mangësi tjetër e këtij projektligji është dhe përgjegjësia, që do të thotë se nëse këto produkte do të mbillen në vend, atëherë duhet të garantojnë bashkekzistencën me varietetet e tjera jo OMGj, dhe në të kundërt prodhuesit e OMGj-ve të ndërmarrin përgjegjësinë në rast se me kalimin e kohës vërtetohet se prodhimet e dikujt janë dëmtuar nga bashkekzistenca me OMGj. Të gjitha këto mangësi nuk janë parashikuar në projektligjin e propozuar nga Ministria e Mjedisit. Ferruni shprehet se në kundërshtim me komisionet parlametare të bujqësisë dhe mjedisit, të cilat janë shprehur kundër hyrjes së OMGJ-ve në Shqipëri, Ministria e Mjedisit është në favor të hyrjes së tyre. Preteksi tashmë i njohur, thotë ai se ne jemi anëtarë të Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT-së) dhe nuk mund të mos lejojmë tregtinë është jo i saktë pasi edhe Bashkimi Europian, i cili ka miratuar futjen e 18 produkteve të modifikuara gjenetikisht para vitit 1998, tani nuk lejon më hyrjen e tyre, si dhe ka rregulla mjaft të rrepta kundrejt OMGj-ve. Nga ana tjetër një aspekt mjaft i rëndësishëm është fakti se vendi ynë duke mos pasur as laboratorë të mirëfilltë për kontrollimin e OMGj-ve dhe as specialistë, do të mundësonte hyrjen edhe të atyre OMGj-ve të cilat janë të dëmshme për t’u mbjellur apo për t’u konsumuar nga njerëzit. Faktikisht këtë e ka evidentuar dhe Shoqata e Bujqësisë Organike, e cila bëri publike që në një kampion misri të marrë në tregun e inputeve bujqësore në veri të vendit dhe të analizuar në një laborator në Gjermani, rezultoi se misri ishte me ndotje gjenetike dhe i ndaluar në BE. Për më tëpër, Ministria e Bujqësisë dhe Ushqimit apo vetë kryeministri Shqiptar duhet të nxirrnin një vendim për ndalimin e OMGj-ve në Shqipëri, derisa ky projektligj të merrte një formë dhe të miratohej në Parlament.

ECIKS / Biznesi