Vazhdojnë problemet për operatorin e dytë të telefonisë

UNMIK-u e quan të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Prishtinës, të marrë disa ditë më parë, që njeh si fitues të tenderit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë konsorciumin Mobitel-Mobikos

Prishtinë – Problemi i licencimit të operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë nuk duket se ka të mbaruar. Administrata ndërkombëtare në Kosovë e ka quajtur të pavlefshëm vendimin e Gjykatës së Prishtinës, e cila ditë më para i njohu si të rregullt fitoren për licencën e dytë të operatorit mobil konsorciumit slloveno-kosovar, Mobitel-Mobikos.
Neraj Singh, zëdhënës i UNMIK-ut, tha se vendimi i Gjykatës së Prishtinës është i pavlefshëm dhe pa baza ligjore për operatorin e dytë të telefonisë mobile Mobitel-Mobikos.
“PSSP-ja me një vendim ekzekutiv e ka anuluar procesin e tenderit për operatorin e dytë të telefonisë mobile në vend që është bërë nga Autoriteti Regulativ i Telekomunikacionit. Ky vendim është marrë pas një procesi të gjatë të një dialogu me anëtarët përkatës të qeverisë së Kosovës dhe me kryesuesin e ART-së”, tha Singh.

Sipas Singh, veprimi për të anuluar këtë proces ka qenë i domosdoshëm dhe është në favor të Kosovës dhe të zhvillimit të saj ekonomik, sidomos duke u nisur nga fakti për të tërhequr investitorët e huaj në Kosovë. Ai bëri të ditur se Autoriteti Regullativ i Telekomunikacionit ka nënshkruar kontratën me Mobitel-Mobikos, pa njoftuar UNMIK-un dhe Qeverinë e Kosovës.

Ndërkohë që Gjykata e Prishtinës e ka marrë këtë vendim disa ditë më parë se operatorit të dytë, të zgjedhur më herët nga ART-ja, t’i jepej licenca për operim, sepse procedurat e tenderimit kanë qenë në rregull. Qeveria e Kosovës ndërkaq ka parashikuar si të ardhura të sigurta 6.5 milionë euro nga licenca e dytë e telefonisë mobile. Në tetor të vitit 2004, pak orë pasi ART nënshkroi kontratën me Mobitel-Mobikos, Petersen, e anuloi këtë vendim së bashku me tërë procesin e tenderimit.

ECIKS / Biznesi