OCTA greke i humb Kosovës 25 milionë euro

Prishtinë, 24 mars 2005 – Rafineria Octa me seli në Shkup i shet Kosovës naftë, që nuk i dihet kualiteti, me vetëm 1 për qind taksë doganore, marrëveshje që ka hyrë në fuqi në kohën e mungesës së qeverisë së Kosovës, pas zgjedhjeve. Nga kjo marrëveshje OCTA përfiton dhe paguan doganë vetëm 1 për qind nga 10 sa duhej të paguante

Shumica e naftës që shitet në Kosovë është e prodhuar në rafinerinë Octa me seli në Shkup të Maqedonisë. Kjo rafineri i shkakton humbje vjetore buxhetit të Kosovës në vlerën prej të paktën 25 milionë euro, duke i shitur Kosovës më shumë se gjysmën e naftës që prodhon (400 mijë tonë) me vetëm 1 për qind taksë doganore. OCTA si rafineri në pronësi të qeverisë së Greqisë dhe Maqedonisë është duke bërë kërdi në tregun e Kosovës me produkte enkas për këtë treg, pa u ditur cilësia, me çmim dukshëm më të lartë se ai në bursë.

“Nëse çmimi i një toni naftë të Burgasit kushton në bursë 194 dollarë, dhe transporti 40 dollarë, del se toni i naftës realisht është 234 dollarë. OCTA e autorizuar prej qeverive të Greqisë e të Maqedonisë e shet tonin e naftës në Kosovë 300 dollarë. Kur kësaj i shtohet edhe transporti prej 25 dollarësh del se nafta e OCTA -s kushton 325 dollarë për ton, apo 100 dollarë më tepër se sa është në bursë”, tha Safet Gërxhaliu, shef i departamentit për marrëdhënie ndërkombëtare në Odën Ekonomike të Kosovës (OEK).

Sipas Gërxhaliut edhe cilësia e naftës lë shumë për të dëshiruar. Por ai ka qenë i rezervuar nga deklaratat e tjera për cilësinë ngase nuk bëhet matja e kualitetit të naftës dhe derivateve të saj.
“Nuk mund të flitet për kualitet në kohën kur nuk ka licencë. Janë 1170 stacione benzine në gjithë Kosovën. Askush nuk e di çfarë nafte apo derivate të saj shesin”.
Kosova konsumon 1200 tonë në ditë, dhe 100 për qind e kësaj vjen nga importi. Gati 90 për qind e saj është prodhim që e mban shenjën prodhuese të OCTA -s.

Fakte:
Konsumi ditor i naftës në Kosovë: 1200 tonë
Numri i stacioneve të benzinës: 1170
Çmimi për një ton naftë të Burgasit në bursë: 194 euro
Çmimi për një ton naftë të OCTA -s që shet në Kosovë: 300 euro
Rritja e premisë së OCTA -s për Kosovë: 52 për qind
Taksa doganore për naftë: 10 për qind
Taksa doganore për naftën e OCTA -s: 1 për qind
Kualiteti i naftës: Nuk ka asnjë të dhënë
Përfitimi i konsumatorëve nga ulja e taksave: 0. 00 euro
Humbjet e buxhetit të Kosovës: 14- 25 milionë euro në vit

ECIKS / Biznesi