UNMIK-u i jep KEK-ut 13 milionë të suficitit

Prishtinë, 7 janar 2004 – Buxheti i Kosovës nuk do të jetë 619 milionë euro, ashtu siç kishte vendosur Kuvendi, duke e festuar këtë ngjarje edhe me tortë “gjigante” në hotel “Grand”; ceremoni ku morën pjesë kryetari, kryeministri dhe kryetari i Kuvendit. UNMIK-u i ka shtuar buxhetit shumën prej 13 milionë eurosh për KEK-un, 9 milionë prej të cilave do të përdoren për mbulimin e humbjeve të korporatës në tre muajt e ardhshëm, thanë për “Biznesin” zyrtarë të lartë të UNMIK-ut.

Mike Ives, zyrtar i UNMIK-ut për buxhetin, tha të hënën se shuma prej 9 milionë euro është ndarë si mbulim i deficitit (humbjeve) të operimit të KEK-ut në 2-3 muajt e ardhshëm dhe kjo për arsye se KEK-u nuk po arrin të gjenerojë mjaft para për operimin.

Ives, i cili është edhe sekretar i Këshillit Ekonomik Fiskal, tha se ky vendim është marrë në bazë të një pune të përbashkët të zyrës së kryeministrit, Ministrisë së Financave dhe UNMIK-ut.

“Si rezultat i kësaj zëvendësadministratori i Kosovës, Charles Brayshaw, i ka shkruar një letër kryeministrit Bajram Rexhepi dhe e ka njoftuar atë për nevojën e shpenzimit të fondeve për KEK-un“, tha Ives. Paratë e vendosura në buxhet janë marrë nga suficiti.

Mimoza Kusari, zëdhënëse e Qeverisë së Kosovës, tha se shuma prej 13 milionë euro, i është ndarë KEK-ut në formë të kredisë dhe ky ka qenë vendim i kryeministrit për të mbështetur korporatën për shkak të inkasimit të dobët të faturave të rrymës elektrike.

Mike Ives tha se paratë për KEK-un janë ndarë në pozicionin buxhetor të Agjencisë Kosovare të Mirëbesimit (AKM), sepse ajo menaxhon me kapacitetet energjetike në Kosovë. Pjesa tjetër e fondit prej 13 milionë eurosh, që i është shtuar buxhetit, në vlerë prej 4 milionë euro do të përdoret për projektin e fshatit Hade, i cili ndodhet në afërsi të termocentraleve në Kastriot dhe që aktualisht është i “mbuluar” nga tymi që lirohet nga djegia e thëngjillit.

Buxheti i Kosovës 2004 nuk është miratuar në formë të ligjit ashtu siç është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por në formë të rregullores së UNMIK-ut.

Krerët e institucioneve vendore në Kosovë shpallën para krishtlindjeve buxhetin 2004 në vlerë prej 619 milionë euro dhe festuan në një ceremoni, edhe pse buxheti ende nuk kishte marrë formën përfundimtare, sepse nuk ishte nënshkruar nga shefi i UNMIK-ut ose ndonjë i autorizuar i tij.

Ngjashëm me vitin e kaluar edhe sivjet buxheti 2004 u nënshkrua nga zëvendësadministratori Charles Brayshaw natën e Vitit të Ri.

Shpenzimi i fondeve të buxhetit vendor për ndërmarrjet publike siç është KEK-u në Kosovë janë kundërshtuar nga misionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) në Kosovë.

FMN dhe BB i kanë rekomanduar qeverisë dhe UNMIK-ut që ta ndërpresin praktikën e financimit të KEK-ut nga buxheti vendës.

ECIKS / BIZNESI