Maqedonia, gjatë vitit 2004 me dogana më të ulëta

Shkup, 7 janar 2004 – Peshqit, pijet alkoolike, frutat tropikale, automjetet me prejardhje nga BE-ja, si dhe mobiliet, prej fillimit të këtij viti në Maqedoni hyjnë me norma më të ulëta të doganës, që është si rezultat i liberalizimit të tregtisë dhe njëkohësisht paraqet detyrim për Maqedoninë kundrejt hyrjes së saj në Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT).

Me norma më të ulëta doganore do të fillojnë të vijnë edhe produktet të cilat deri tani janë importuar nga vendet me të cilat Maqedonia nuk ka të nënshkruar marëveshje për tregti të lirë, vende që me hyrjen në Bashkimin Europian do të përfitojnë reduktime tarifore, si edhe produktet e tjera nga BE-ja. Bëhet fjalë për Poloninë, Hungarinë, Çekinë, Lituaninë, Estoninë, Letoninë, Maltën, Sllovakinë dhe Qipron, me të cilat deri më sot Maqedonia ka një këmbim jo shumë të theksuar, por pritet që të intensifikohet veçanërisht në pjesën e eksportit, pasi prodhimet nga Maqedonia do të bëhen më konkurrente në tregjet e atjeshme.

Rritje të doganës me bazë të këtillë do të ketë vetëm tek mallrat e importuara nga Sllovenia, të cilat deri më sot ishin trajtuar sipas marëveshjes për tregti të lirë ndërmjet Maqedonisë dhe Sllovenisë. Zvogëlim më të madh, respektivisht anulim të tërësishëm të doganave, ka tek peshqit dhe prodhimet e peshqve. Kafeja e papjekur do të importohet me doganë prej 5 për qind, kurse ajo e pjekur me 15 për qind. Deri më sot kafeja e papjekur është doganuar me 12,5 për qind, kurse ajo e pjekur me 27 për qind. Frutat tropikale, respektivisht portokajtë në vend që të doganohen me 0,11 euro për kilogram do të doganohen me 0,03 euro për kilogram. Edhe pse këtu ka zbritje, kjo nuk do të thotë se do të ketë edhe zvogëlim të çmimit për konsumatorin e fundit, pasi siç informojnë nga Drejtoria e Doganave, edhe aktualisht portokajtë kanë hyrë me norma të ulëta doganore. Bananet, gjithashtu do të importohen me doganë prej 0,03 euro për kilogram, me maksimumin e vërtetuar prej 10 për qind nga vlera e mallit të importuar. Norma e doganimit tek mandarinat prej 0,14 euro për kilogram, gjatë këtij viti do të zvogëlohet në 0,04 euro për kilogram. Norma doganore tek pijet alkoolike zvogëlohet për 12 për qind dhe në vend 48 do të jenë 36 për qind. Zvogëlim të normës për rreth 5 për qind do të ketë tek mobiliet për zyra nga metali dhe druri, pastaj mobiliet nga masa plastike, nga bambuja, kurse pajisjet për mobilie do të doganohen në vend të 13 për qind, me 9 për qind. Zvogëlimi i doganës tek automjetet vlen vetëm për ato që kanë prejardhje nga BE-ja, me 2 për qind, d.m.th. nga 10 zvogëlohet në 8 për qind, ndërsa tek automjetet që nuk vijnë nga vendet e BE-së tarifa mbetet 10 për qind. Për automjetet e vjetra, kufiri maksimal i të cilave është përcaktuar në 10 vjet, prej këtij viti do të doganohen me normë prej 11,7 në vend të 13,3 për qind, e cila është tarifa doganore e vitit të kaluar. Një zvogëlimi i tillë i tarifave është në pajtim me liberalizimin e mëtejshëm të tregtisë, e cila zbatohet me hyrjen e Maqedonisë në OBT. Zvogëlimi i doganave filloi prej vitit 2001 dhe duhet që gradualisht të kryhet deri më 2008, dhe për një numër më të vogël të produkteve deri në vitin 2011. Liberalizimi i rritur do të rezultojë edhe me derdhje më të vogël në buxhet të të ardhurave të realizuara me bazë nga doganat prej 9,1 për qind në krahasim me rishikimin e buxhetit për vitin 2003, por edhe me deficit në bilacin tregtar prej 15 për qind të PBB-së, që do të sjellë deri një deficit në llogarinë vijuese të bilancit pagesor, prej rreth 7 për qind të PBB-së.

ECIKS / BIZNESI