Riinvest kritikon strategjinë e MTI-së për zhvillim ekonomik

Prishtinë, 6 janar 2004 – Ekspertë të Institutit për Hulumtime Zhvillimore, RIINVEST, vlerësojnë se Kosova ka nevojë për një vizion të qartë të zhvillimit ekonomik. Pas fazës emergjente të rindërtimit, menjeherë pas luftës, tani duhet të fillohet me ndërtimin dhe zbatimin e politikave ekonomike, të cilat do të krijojnë mundësi për një zhvillim afatgjatë dhe të qëndrueshëm të ekonomisë së Kosovës. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë ka hartuar një strategji të zhvillimit afatmesëm të ekonomisë për periudhën e ardhshme 4 vjeçare. Nënkryetari i Institutit RIINVEST, Muhamet Sadiku, hartimin e kësaj strategjie e vlerson si hap të rëndësishëm, por ai thotë se në këtë fazë ajo duhet të quhet platformë ekonomike.

“Unë në këtë fazë më tepër perferoj të them se Ministria e Tregtisë e Industrisë e ka promovuar një platformë për diskutimin e strategjisë, sepse ardhja deri te një strategji e mirëfilltë është një rrugë më e gjatë, ku fjalën kryesore duhet të thonë ekspertë të institcioneve profesionale të Kosovës, pra kjo është një bazë për një diskutim, i cili duhet të jap shumë përgjegje për zhvillimin e ardhshëm të Kosovës”.

Z. Sadiku vlerëson se duhet të ketë një koordinim midis institucioneve shkencore e profesionale të Kosovës dhe të organizatave joqeveritare që kanë ndikim në zhvillimin ekonomik të Kosovës në mënyrë që të arrihet një integrim i të gjitha subjekteve relevante për dizajnimin përfundimtar të kësaj platforme.

Muhamet Sadiku vlerëson se në qoftë se kjo platformë konceptohet në mënyrë të drejtë atëherë do të arrihen rezultate. Ai vlerson se kjo strategji duhet të lirohet nga vizionet e paqarta dhe objektivat joreale duke i caktuar fillimisht prioritetet.

“Mendoj se Kosova vazhdon të sfidohet me një shkallë të lartë të papunësisë, prandaj kontributi i kësaj strategjie është nëse ofrohen rrugë për zbutjen e papunësisë, nëse ofrohen rrugë për rritjen e bizneseve prodhuese në Kosovë, sidomos më zhvillimin e grupacioneve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mëdha. Çështje kritike në zhvilllimin e ardhshëm të Kosovës është konsolidimi i një buxheti të qendrueshëm për investime publike në Kosovë.”

Nënkryetari RIINVEST-it thekson se Kosova duhet t’i inkurajojë investitorët e jashtëm dhe të vendosë raportet me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me Bankën Botërore në mënyrë që të shfrytëzojë kredi ndërkombëtare. Muhamet Sadiku thotë se përvoja e vendeve tjera ka dëshmuar se pa pasur çasje në shfrytëzimin e kredive ndërkombëtare është vështirë të arrihet një progres për një periudhë 4 apo 5 vjeçare.

ECIKS / Radio Kosova