Ligji për koncesionin i paraprin autostradës Vërmicë-Merdar

Prishtinë, 6 janar 2004 – Ndërtimit të autostradës Vërmicë-Merdar (pjesës kosovare të rrugës Durrës-Merdar) i paraprin miratimi i ligjit për koncesionin e tokave, të cilin Ministria e Transportit planifikon ta miratojë vitin e ardhshëm.

Ministri i Trasportit Zef Morina tha për “Biznesin” se vitin e ardhshëm do të miratohet ligji për koncesionin, që është njëri nga parakushtet për financimin e pjesës kosovare të autostradës Durrës-Merdar. Sipas ministrit, Kosova nuk ka fonde për financimin e kësaj rruge, kështu që zgjidhja e vetme mbetet dhënja me koncesion (qira) për ndërtimin e saj.

Qeveria planifikon që pas miratimit të ligjit për koncesionet të shpallet një tender ndërkombëtar, për ndërtimin e kësaj rruge, ndërsa në mungesë të parave qeveria do të ofrojë shfrytëzimin e kësaj rruge nga ndërtuesi i saj për një periudhë kohore për të cilën do të zgjidhet oferta më e mirë.

Ekspertët e kësaj fushe thonë se lidhja rrugore e Kosovës me Shqipërinë mund të bëhet nëse pjesa kosovare e rrugës i jepet në shfrytëzim prej 10 deri në 12 vite ndonjë investuesi privat. Sipas tyre, përfitimet që do të ketë investuesi nëpërmes taksave që mblidhen në autostrada, janë të mjaftueshme për joshjen e ofertuesve.

Në Ministrinë e Transportit thonë se ka shumë investitorë nga SHBA-të, Evropa e posaçërisht nga Italia që janë të interesuar për ndërtimin e rrugës Vërmicë-Merdar me koncesion, por paraprakisht nevojitet ligji i cili mundëson dhënien e tokës me qira.

Legjislacioni

Ligji për koncesionin është në fazën fillestare, grupi i ekspertëve nga Ministria e Transportit ka hartuar një projektligj për koncesionin, por aktualisht është duke u pritur formimi i grupit tjetër nga qeveria për shqyrtimin e projektit në fjalë. Në gjysmën e parë të vitin të ardhshëm parashihet që ky ligj të miratohet në kuvend.

Vitin 2004 planifikohet që do të përfundohet edhe hartimi i projektit zbatues të kësaj rruge për të cilën qeveria ka ndarë buxhetin. Pas përfundimit të projektit zbatues dhe miratimit të ligjit mund të shpallet tenderi për ndërtimin e rrugës Vërmicë-Merdar, që sipas ekspertëve mund të realizohet për 3 ose 4 vjet.

Shqipëria është përpara Kosovës sa i përket ndërtimit të rrugës Durrës-Merdar. Qeveria shqiptare ka përfunduar projektin për fizibilitetin (projektin zbatues) e rrugës dhe në disa akse ka filluar ndërtimi i saj.

Pse koncesioni?

Rrjeti i rrugëve magjistrale dhe rajonale të Kosovës është i gjatë 1.934 kilometra. Vlera e tërësishme e këtij rrjeti sipas ministrisë është rreth 1 miliard euro, ndërsa për mirëmbajtjen e tyre qeveria ka ndarë për vitin 2004 rreth 23 milionë euro.

Meqë Kosova nuk ka të drejtë të marrë kredi të jashtme derisa të zgjidhet statusi përfundimtar, e vetmja mundësi për financimin e saj është dhënia me koncesion (shfrytëzim) brenda një kohe të caktuar, ndërsa më pas rruga mbetet pronë e Kosovës. Dhënia me koncesion ka edhe përparësitë e saj pasi koha e ndërtimin është shumë më e shpejtë.

Drejtoria e Rrugëve të Kosovës, që është pjesë e qeverisë, në bashkëpunim me disa institucione shkencore kosovare ka përfunduar në fillim të këtij viti projektin ideor për tri variantet e mundshme për pjesën kosovare të rrugës Durrës-Merdar.

Zyrtarët e ministrisë kanë zgjedhur njërin nga këto tri mundësi të ndërtimit të rrugës terësisht e re nga Merdari në Vërmicë (Morin), e gjatë 111 kilometra, që do të kushtojë 644 milionë euro.

Rruga Durrës-Merdar konsiderohet me karakter strategjik për ekonominë e Kosovës, sepse nëpërmes portit të Durrësit do të bëhej lidhja rrugore me Evropën përmes Italisë. Një zyrtar i qeverisë italiane kohë më parë gjatë vizitës në Kosovë ka deklaruar se ata janë të interesuar për ndërtimin e kësaj rruge me koncesion.

ECIKS / Biznesi