Sindikalistët kërkojnë nënshkrimin e kontratës kolektive

Prishtinë, 6 janar 2004 – Prioriteti i sindikalistëve kosovarë për vitin e ardhshëm do të jetë nënshkrimi i kontratave kolektive me Qeverinë e Kosovës dhe me Odën Ekonomike. “Njëri ndër synimet kryesore të Bashkimit të Sindikatave të Pavaruara të Kosovës për vitin e ri 2004 është nënshkrimi i kontratave kolektive”, tha Bahri Shabani, kryesindikalist i Kosovës. Ai shfaqi shpresën se në 6 mujorin e parë të vitit 2004 do të arrihet nënshkrimi i kontratës kolektive në mes të qeverisë dhe OEK-ut, me të cilën do të rregulloheshin raportet punëdhënës-punëtorë.

Shabani i bëri këto komente gjatë paraqitjes së prioriteteve për vitin 2004 dhe përshkrimin e punëve të sindikatës gjatë vitit 2003.

“BSPK do të angazhohet për një qetësi relative, mirëpo nuk do të jetë kundër protestave apo grevave në rast se këtë e sheh të arsyeshme,” tha Shabani, në lidhje me mundësinë e protestave për përmirësimin e kushteve të punëtorëve.

Sindikalistët deklaruan se kanë marrë pjesë dhe kanë dhënë kontribut të çmuar në grupin e qeverisë për ngritjen dhe nivelizimin e pagave të shërbimeve publike, ku është realizuar një rritje prej 20 për qind, ndërsa vitin e ri do të ketë ngritje pagash prej së paku 5 për qind.

Sindikata edhe më tutje do të angazhohet në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve gjatë procesit të privatizimit, si edhe në mbajtjen e nivelit të tanishëm të tatimit në të ardhura për punëtorë, kanë theksuar zyrtarët e kësaj organizate të punëtorëve.

Me iniciativën e sindikatës, këtë vit u krijua Këshilli Trepalësh, ku qeveria përfaqësohet nga Ministria e Punës, punëtorët i përfaqëson sindikata, ndërsa interesat e punëdhënësve i mbron Oda Ekonomike.

ECIKS / Biznesi