BSH: Ulen normat bazë të interesit me 0.5 për qind

Tiranë, 6 janar 2004 – Normat bazë të interesit ulen me 0.5 për qind. Në mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë u vendos që normat bazë të interesit të ulen nga 7 në 6.5 për qind. Kjo është hera e katërt brenda këtij viti që Banka e Shqipërisë ul normat e marrëveshjeve të riblerjes (REPO). Kështu, normat e interesit janë ulur nga 8.5 për qind në fillim të këtij viti në 6.5 për qind. “Me këtë ulje të normave të interesit Banka e Shqipërise tenton të ulë më tej koston e bankave në përgjithësi dhe çmimin e parasë në ekonomi, me qëllim që të stimulohet akoma më shumë kreditimi i biznesit dhe rritja ekonomike”, – tha Shkëlqim Cani, guvernator i Bankës së Shqipërisë. Sipas tij, ulja e normave të interesit zbut edhe presionin që është duke u ushtruar mbi monedhën tonë, i cili prej disa kohësh po vazhdon të mbiçmohet si ndaj dollarit amerikan, ashtu edhe ndaj euros. Përveç kësaj synohet që të zbutet edhe më tej diferenca midis përqindjeve të interesit për investimet në lekë me ato në valutë si në terma nominalë, ashtu edhe në ato realë.

Por më kryesorja është se me uljen e normave të interesit pretendohet të stimulohet rritja e kreditimit të biznesit pasi ulet kostoja e kredive. Sipas Canit, ky veprim u ndërmor në bazë të disa faktorëve, si: ecuria pozitive e treguesve monetarë, mbajtja nën kontroll e deficitit buxhetor, presioni që ushtrojnë mbi kursin e këmbimit normat e interesit në lekë etj.

Ulja e normave të interesit dhe ndikimi në ekonomi

Kreditë
Ulja e normave të interesit për marrëveshjet e riblerjes (Repo) nga Banka e Shqipërisë normalisht ndiqet nga ulja e normave të interesit për depozitat dhe kredisë nga ana e bankave të nivelit të dytë. “Pra, në këtë mënyrë stimulohet kreditimi bankar për shkak të uljes së kostos së kredive”, – thotë Lavdosh Zaho, president i bordit drejtues të Bankës së Kursimeve. Sipas tij, gjatë vitit të fundit ndihet një rritje e kredisë në ekonomi për shkak të uljes së normave të interesit. Por rritjen më të madhe kreditimi pritet ta ketë këtë vit me hyrjen në tregun e kredive të Bankës së Kursimeve, e cila i kaloi në dorë bankës austriake Raiffeisen Bank.

“Por po të shohim normat e kreditimit në ekonomi gjatë këtij viti, duket se ato nuk kanë ecur në përpjestim të drejtë me uljen e normave të interestit të cilat janë ulur nga 8.5 në 6.5 për qind”, – thotë Adriatik Kotorri, profesor në Fakultetin Ekonomik. Kjo pasi njerzit nuk është se janë privuar nga kreditë vetëm për shkak të kostos së lartë të tyre po edhe për shkak të politikave shtrënguese që kanë bankat në lidhje me kredidhënien. Sipas Gjergj Buxhukut, specialist ekonomie, kjo ndodh për shkak të riskut shumë të lartë që ekziston në ekonominë shqiptarë për sa i përket dhënies së kredive.

Depozitat
Ulja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë ka një ndikim në uljen e normës së interesit të depozitave, të cilat shkojnë në favor të bankave pasi shqiptarët nuk i tërheqin paratë nga bankat. “Kjo ndodh pasi ata nuk kanë alternativë më të mirë investimi sesa depozita në banka, pasi në Shqipëri mungon bursa, që ata të mund t’i investonin në letra të tjera me vlerë që mund të sjellin interes më të madh sesa depozitat”, – shprehet Buxhuku për “Biznesin”.

Investimi në bono thesari privon kreditë për ekonominë
Ulja e normës së interesit për kreditë nuk i nxit bankat të kreditojnë më shumë ekonominë. Kjo pasi normat e interesit për bono thesari janë më të larta se ato të kredive. “Qeveritë shqiptare kanë pasur gjithmonë nevojën e financimit me borxh publik, prandaj edhe bonot e thesarit kanë pasur interesa të larta për të tërhequr bankat e nivelit të dytë të investojnë”, – tha Buxhuku. Kështu, bankat e nivelit të dytë e kanë pasur më të lehtë të investojnë në bono thesari pasi normat e interesit kanë qenë më të larta, ndërkohë që edhe risku është zero. “Por që të ulen normat e interesit të bonove, duhet pasur kujdes pasi ne jemi një ekonomi e pastabilizuar dhe e mbyllur, ku dominojnë importet”, – thotë Buxhuku.

Ndikimi në bilancin tregtar
Ulja e normave të interesit nuk ka ndikim në bilancin tregtar për një periudhë afatshkurtër. Në qoftë se normat e interesit të depozitave janë të ulëta shumë njerëz priren t’i tërheqin ato nga banka dhe t’i depozitojnë në një biznes i cili mund të jetë më fitimprurës sesa fitimi nga depozitat. Por eksportet që mund të prodhojnë këto biznese të cilat mund të lindin nuk e japin efektin e tyre në një periudhë afatshkurtër.

Përveç kësaj nëse ulja e normave të interesit për depozitat nuk mendohet se do të ndikojë në atë që shqiptarët t’i tërheqin depozitat e tyre në lekë për t’i investuar në valutë jashtë vendit, pasi jashtë vendit normat e interesit për depozitat janë më të ulëta sesa normat e interesit të lekut në Shqipëri.

Ulja e normave të interesit, faktorët që çuan në këtë vendim
a) Zhvillimet e përgjithshme makroekonomike të vendit janë në përputhje me parashikimet e bëra. Siç është bërë e ditur edhe më parë, vlerësohet se prodhimi i përgjithshëm bruto të jetë rritur me 6 për qind ndërkohë që inflacioni dhe deficiti buxhetor janë në nivele të kontrolluara.

b) Inflacioni, si një nga objektivat kryesorë të programit të zhvillimit të vendit dhe objektivi kryesor i Bankës së Shqipërisë, ka shfaqur ecuri pozitive gjatë njëmbëdhjetë muajve të parë të vitit, duke rezultuar brenda objektivit 2 – 4 për qind të Bankës së Shqipërisë për vitin 2003. Ai pritet të jetë brenda objektivit edhe në muajin dhjetor, duke u luhatur rreth nivelit 3 për qind.

c) Faktorët që kanë ndikuar në sjelljen e inflacionit të këtij viti janë kryesisht faktorët tradicionalë, ndërsa intensiteti i veprimit të tyre ka qenë brenda vlerave normale.

d) Zhvillimet në treguesit monetarë si: rritja e ofertës monetare dhe përbërja e saj, kursi i këmbimit, struktura e likuiditetit në ekonomi, si dhe niveli i përshatshëm i normave të interesit, kanë ndikuar në amortizimin e presioneve të shkaktuara nga faktorë të jashtëm mbi inflacionin.

e) Bankat tregtare, në ndjekje të politikës monetare të Bankës së Shqipërisë, kanë qenë aktive në drejtim të uljes së normave të interesit. Megjithatë, normat e ulëta të inflacionit kanë ndikuar në ruajtjen e normave reale të interesit në nivele pozitive. Ulja e normave të interesit gjatë vitit 2003 është shoqëruar me ulje të kostos së ndërmjetësimit të sistemit bankar.

f) Gjatë vitit 2003 deficiti buxhetor ka regjistruar një model pak më ndryshe krahasuar me vitet e tjera, ku spikat një ritmikë më normale në kryerjen e shpenzimeve buxhetore. Kjo është bërë më e theksuar në muajin dhjetor, i cili në ndryshim nga vitet paraardhëse nuk ka krijuar presion mbi politikën monetare.

ECIKS / Biznesi