Deficiti tregtar: shqiptarët humbasin 15.8 miliardë lekë

Tiranë, 8 janar 2004 – Përkeqësohet bilanci tregtar shqiptar. Instituti Shqiptar i Statistikave ka deklaruar dje se deficiti tregtar ka pësuar një rritje prej 9.8 për qind. Shkak për thellimin e hendekut të bilancit shqiptar tregtar është rritja e ndjeshme e importeve në krahasim me eksportet. Produktet “Made in Albania” edhe pse kanë rritur me rreth 4.2 për qind prezencën e tyre në tregjet e huaja gjatë muajit tetor nuk kanë qenë në gjendje të mbulojnë importet, të cilat janë rritur dy herë më shumë. Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave, deficiti tregtar në fund të muajit tetor ka arritur në 15.8 miliardë lekë, si rrjedhojë, niveli i eksporteve ka arritur në 4.9 miliardë lekë dhe importet rreth 20.8 miliardë lekë. “Tregtia me vendet e Bashkimit Evropian zuri rreth 71.5 për qind, ndërkohë që partnerët kryesorë tregtarë edhe gjatë këtij muaji janë Italia dhe Greqia. Eksportet me Italinë janë rreth 74.7 për qind dhe importet rreth 32.8 për qind, ndërsa me Greqinë, eksportet janë rreth 14.1 për qind dhe importet rreth 17.2 për qind”, -pohojnë specialistët e Institutit të Statistikave.

Gjatë periudhës së fundvitit vërehet një rritje e eksporteve të grupeve: “Produkte kimike dhe plastike” nga 14 milionë lekë në 27 milionë lekë (93.3%); “Materiale ndërtimi dhe metale” nga 554 milionë lekë në 673 milionë lekë (21.4%); “Ushqime, pije, duhan” nga 469 milionë lekë në 593 milionë lekë (26.3%); ndërsa për grupin “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” eksporti u ul nga 235 milionë lekë në 99 milionë lekë (57.7%) etj. Sipas Institutit të Statistikave, eksportet drejt Austrisë, Gjermanisë, Greqisë, Italisë dhe Bullgarisë janë rritur ndjeshëm, ndërsa eksportet drejt Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës kanë pësuar ulje. Por, edhe pse statistikat tregojnë një rritje të lehtë të eksporteve, bilanci tregtar vazhdon që të jetë tepër negativ dhe do të thellohet nga viti në vit. Sipas të dhënave më të fundit, raporti import-eksport është 1:22, gjë që tregon se ekonomia shqiptare është e varur nga mallrat e importit. Sipas INSTAT-it, importi i grupeve “Lëkurë dhe artikuj prej lëkure” u rrit nga 564 milionë lekë në 747 milionë lekë (32.4%); dhe “Materiale ndërtimi dhe metale” nga 2.5 miliardë lekë në 3.1miliardë lekë (21.8%), ndërsa për grupin “Tekstile dhe këpuce” importi u ul nga 2.5 miliardë lekë në 2.8 miliardë lekë ( 10.4%). Vendi ynë importon kryesisht nga: Austria, Gjermania, Hungaria, Italia, Japonia, Belgjika, Kroacia, Polonia, Holanda dhe ish-Jugosllavia. Sipas statistikave, Italia mban vendin rekord për importin, e cila zë rreth 33 për qind të importit total. Pas saj, vjen Greqia me rreth 17 për qind të totalit të importeve, vendet e tjera të Bashkimit Europian me rreth 9 për qind të totalit të importeve, Turqia me rreth 8 për qind dhe Gjermania me rreth 7 për qind të totalit të importeve.

ECIKS / Shekulli