UNMIK akuzohet për neglizhencë ndaj korrupsionit

Irwin Arieff (Reuters)

Prishtinë, 9 prill 2006 – Hetuesit e brendshëm të Kombeve të Bashkuara e kanë akuzuar të premten Kryeadministratorin e Kosovës se po i mbyll sytë para korrupsionit, keqpërdorimeve të gjithanshme dhe keqmenaxhmentit në Aeroportin e Prishtinës që nga mesi i vitit 2004.

Hetimet dy vjeçare të kryera nga Zyra e Shërbimit të Brendshëm për Hetime të Kombeve të Bashkuara (Office of Internal Oversight Services – OIOS), në bashkëpunim me Hetuesit e Bashkimit Evropian, kanë gjetur se “mashtrimet dhe keqmenaxhimi po rriten dhe se korrupsioni është sistematik” në aeroportin e Prishtinës, thotë raporti OIOS.

Ky raport vjen pas propozimeve të shumta që kanë ardhur për reforma në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Propozimet për reforma kanë ardhur pas skandalit në programin naftë-për bukë të realizuar në Irak para invazionit të Shteteve të Bashkuara me aleatë.

Në ketë program shumë zyrtarë të Kombeve të Bashkuara kanë dalë të përfshirë në korrupsion, në mesin e tyre edhe djali i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Anann. Kjo ka ndikuar që shtete të fuqishme botërore, si SHBA-të, të shprehin hezitimin e tyre që edhe më tutje të janë pjesë e ndihmave të Kombeve të Bashkuara.

Shumë ligjvënës të SHBA-ve kanë kërcënuar se do të ndërpresin ndihmat e mëtutjeshme për OKB nëse reformat në kuadër të këtij organizmi dështojnë.

Në Kosovë, hetuesit thonë se, “është konstatim i paevitueshëm fakti se askush nuk jep llogari në aeroportin e Prishtinës për keqmenaxhim, korrupsion dhe mashtrime”

‘Krejtësisht të pajustifikuara’

Danezi Soren Jessen-Petersen, që është Kryeadministrator i Kosovës prej qershorit të vitit 2004, i ka quajtur gjetjet e zyrës së brendshme për hetime si diçka “krejtësisht të pajustifikueshme” dhe të paqëndrueshme.

Jessen-Petersen është mbrojtur duke thënë se si përfaqësues i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, ai nuk ka mandat për të hetuar kompanitë në pronësi publike si aeroporti, thuhet në raportin e hetuesve.

Ai gjithashtu ka kundërshtuar bërjen publike të raporteve të OIOS.

Hetuesit e Kombeve të Bashkuara thonë se së bashku me hetuesit e Bashkimit Evropian prej muajit gusht 2004 deri në qershor 2005 ka përpiluar 33 raporte te detajuara për problemet ne aeroport dhe mënyrën se si duhet anashkaluar ato. Përderisa nëntë lëndë janë përcjellë prej Zyrës së Kryeadministratorit tek Departamenti i Drejtësisë për hetime penale, për shumicën e raporteve tjera Jessen-Petersen nuk ka reaguar duke thënë se ato nuk janë pjesë e punës së tij. Kështu ka deklaruar Kryeadministratori në një përgjigje me shkrim që ua ka dërguar njësitit për hetime brenda Kombeve të Bashkuara

Departamenti i Kombeve të Bashkuara për operacione paqeruajtëse, në disa komente të bëra, ka mbështetur qëndrimin e Kryeadministratorit, thotë OIOS.

Sipas OIOS mungesa e aftësisë së UN për t’iu adresuar keqpërdorimeve dhe korrupsionit në kompanitë publike në Kosovë daton që në vitin 1999, ku e ka origjinën UNMIK.

“Madje u pat bërë e qartë që korrupsioni është i shfrenuar në Kosovë…, kurse misioni i pagatshëm për të marrë ndonjë aksion”, thotë raporti i OIOS. Me ketë mision në tërheqje kur po përcaktohet statusi final i Kosovës, kah fundi i këtij viti, kjo pagatishmëri “do të ketë një efekt shkretues në perceptimin publik brenda dhe jashtë Kosovës, e Kombet e Bashkuara do të shihen sikur po ikin nga problemet më shumë se sa po i zgjidhin ato”, thuhet në raport.

Marrë nga Gazeta Express