Vlorë, 28.11.2006 – Tatimi mbi Vlerën e Shtuar mund të ulet me 1 për qind në mesin e vitit të ardhshëm, nga 20 për qind në 19 për qind, ka bërë të ditur zëvendësministri i Financave të Shqipërisë, Florjon Mima në Komisionin e Ekonomisë, me synimin që ajo të arrijë gradualisht në nivelin 17%.
“FMN, kërkon që TVSH-ja të jetë e fundit në listë nga tatimet, të cilat janë parashikuar të pësojnë ulje”, – theksoi Mima. TVSH-ja mund të zbatohet me vlerë të ndryshme, vetëm për energjinë elektrike, në masën 6%. Ai pohoi gjithashtu, se Taksa e Sheshtë mund të nisë të zbatohet që nga janari i vitit 2008. Taksa e Sheshtë parashikon që TVSH-ja, Tatim-Fitimi dhe Tatimi mbi të Ardhurat Personale, të kenë të njëjtin nivel.
Megjithëse akoma nuk është zbardhur skema, përfaqësues të qeverisë kanë deklaruar publikisht një nivel takse të sheshtë prej 17%. Aktualisht, TVSH dhe Tatim-Fitimi aplikohen në masën 20%.
EXPRESS / ECIKS