Pajtueshmëri për termocentralin e Vlorës

Vlorë, 28.11.2006 – Tenderi ndërkombëtar për ndërtimin e TEC-it të Vlorës ka hyrë në fazën përfundimtare të tij, ku pritet vetëm firmosja formale e kontratës me kompaninë italiane, “Maier Inginering”. Pas bisedimeve disaditore, mes KESH-it dhe drejtuesve të kompanisë, këta të fundit kanë rënë dakord që të marrin përsipër ndërtimin e TEC-it, sipas të gjitha kushteve të paracaktuara nga korporata dy vjet më parë, në kohën e hapjes së tenderit.

Këtë fakt e ka konfirmuar drejtori i KESH-it, Andi Beli, i cili është shprehur se bisedimet me italianët janë mbyllur me sukses, ndërkohë që pritet vetëm firmosja formale e kontratës në ditët në vazhdim.

Sipas Belit, “kompania italiane ka rënë dakord që të marrë përsipër ndërtimin e TEC-it të Vlorës, pa ndryshuar koston e projektit, por duke pranuar vetëm disa ndryshime të natyrës teknike”. Ecurinë pozitive të bisedimeve me italianët e “Maier Inginering” e ka konfirmuar edhe ministri i Energjetikës, Genc Ruli, i cili në një prononcim për shtyp ka theksuar se tashmë çdo gjë është mbyllur dhe pritet vetëm firmosja për të filluar më pas me punimet. Komisioni i Vlerësimit të Ofertave në KESH përcaktoi para pak kohësh si më të favorizuar
kompaninë italiane “Maier Inginering”, e cila në krahasim me kompanitë pjesëmarrëse në tender, kishte dhënë ofertën më të ulët.

Pas vlerësimeve teknike të Bankës Botërore dhe BERZH-it (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim), të cilat do të jenë edhe financueset kryesore të projektit, miratimi nga kompania italiane i ka hapur përfundimisht rrugë ndërtimit të TEC-it të Vlorës.

TEC-i i Vlorës është një bashkëpunim financiar mes donatorëve të huaj, si Banka Botërore, BEI, BERZH, ku janë parashikuar të investohen 125 milionë USD. Nga 13 kompani që morën pjesë në fazat e parakualifikimit, u përzgjodhën vetëm 4 kompani, nga ku u kualifikua edhe konsorciumi “Maier Inginering”, i përbërë nga dy kompani italiane “Ansaldo” dhe “Tecnomod”.

Vetëm dy javë më parë, përfaqësuesja e Bankës Botërore, Orsalia Kalanzopulos, deklaroi se, “për shkak të ndryshimeve në çmimin e naftës, që pothuajse u dyfishuan, ka ende punë për t’u bërë në drejtim të specifikave të projektit”. Sipas saj, ka disa firma që janë kualifikuar dhe kompania fituese do të zgjidhet sipas rregullave të institucioneve financiare ndërkombëtare.

Me përzgjedhjen e kompanisë fituese, pritet që punimet për ndërtimin e këtij TEC-i të ri, të nisin brenda vitit 2007.

EXPRESS / ECIKS