Ulet tatimi në paga dhe fitim, rritet TVSH dhe Akciza

Qeveria e ka miratuar në mbledhjen e saj të rregullt propozimin e ministrit të Ekonomisë dhe Financave (MEF), Ahmet Shala, për ndryshime të skemës tatimore, ku është ulur tatimi në paga dhe tatimin në fitim, ndërkaq është rritur tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza.
“Kosova është një vend në zhvillim dhe Qeveria ka hartuar edhe agjendën e saj në favor të rritjes ekonomike me qëllim të përkrahjes të sektorit privat, përfshirë edhe përkrahjen përmes politikave tatimore”.

Sipas Shalës, këto ndryshime duhet të ndodhin gjithnjë duke pasur parasysh ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale të buxhetit të Kosovës.

“Rishikimi i sistemit tatimor duhet të sigurojë që reforma tatimore nuk e keqëson mundësinë për të gjeneruar të hyrat e nevojshme për qeverinë, përkundrazi kjo e zgjeron bazën tatimore dhe disiplinon tatimpaguesit”.

Ky vendim pritet të hyjë në fuqi që nga një janari i vitit 2009.

Tatimi në paga do të zvogëlohet 10 për qind për rrogat që janë mbi 450 euro nga 20 për qind që ishte deri më tani, në 8 për qind për rrogat mbi 250 euro dhe 4 për qind për rrogat nën këtë shifër dhe 0 tatim për pagat deri në 80 euro.

Edhe tatimi në korporata apo tatimi në fitim është ulur nga 20 në 10 për qind.

Për të kompensuar këto, MEF ka shqyrtuar disa mundësi, gjithnjë duke u përpjekur që mos të ngritët taksa e TVSH-së, por megjithëkëtë një ngritje prej 1 për qind është e domosdoshme.

Sipas skemës së re tatimore TVSH-ja do të ngritët nga 15 në 16 për qind.

Po ashtu edhe akciza do të shënojë ngritje, sidomos në mallrat e forta si p.sh. në duhan për të cilin akciza ka qenë 17 euro për një kilogram, ndërsa duhet që ministria në kohën adekuate të ngrisë në 21 euro për kilogram akcizën.

Telegrafi.com