Rritjen e TVSH-së do ta paguajë konsumatori

Rritja e tatimit mbi vlerën e shtuar nuk do të vërehet shumë në çmime, sipas Qeverisë, mirëpo ekspertë të ekonomisë thonë se sa do që të jetë ajo rritje, do t’i prekë kryesisht shtresat me standard më të ulët

Arbana Xharra

Prishtinë, 29 korrik 2008 – Rritja për 1 për qind e tatimit mbi vlerën e shtuar do të bartet te konsumatori i fundit, sipas Qeverisë, por kjo nuk do të paraqesë ndonjë ngarkesë të madhe, meqë nuk do të ndikojë shumë në rritjen e çmimeve. Ekspertë të lëmit së taksave megjithatë konsiderojnë se rritja e TVSH-së do ta dëmtojë më së shumti shtresën me standard më të ulët, ndërkaq që përfitime nga uljet e taksave të tjera do të kenë vetëm një numër i kufizuar tatimpaguesish.

Ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala, tha se fenomene ekonomike me këtë rast edhe “Ngritja e taksa në shumicën e rasteve nuk ka korrelacion funksional, andaj edhe ngritja e TVSH-së për një për qind nuk do të thotë se mund të ketë rritje të çmimeve për një për qind”, ka thënë të martën ministri Shala.

“Pëson konsumatori me buxhet të ulët”
Lumir Abdixhiku, drejtor menaxhues i universitetit “Riinvest”, tha se duhet të bëhet e qartë se kush është bartës i TVSH-së. ”Duhet të analizohet bartësi kryesor, pasi rritja e TVSH-së mund të ndikojë në rritjen e çmimeve. Bizneset do t’i rrisin për t’i mbuluar humbjet që u shkakton tatimi mbi vlerën e shtuar”, ka thënë Abdixhiku. Sipas tij, në këtë mënyrë, bartësi i TVSH-së mbetet konsumatori i fundit. Ai sugjeron që Qeveria të bëjë një analizë për barrën fiskale. Sipas tij, ndryshime fiskale duhet të vazhdojnë edhe më.

“Tash për tash obligohen vetëm ata që kanë më shumë se 50 mijë euro qarkullim që ta paraqesin TVSH-në. Mendoj se duhet obliguar çdo biznes që ka qarkullim edhe më të vogël se 50 mije euro që të regjistrohet. Kështu bizneset do të detyroheshin që ta bënin regjistrimin e transaksioneve”, ka shtuar Abdixhiku.

Drejtuesi i organizatës antikorrupsion “Çohu”, Avni Zogiani, tha se nga ndryshimet e politikave fiskale që ka bërë Qeveria do të përfitojnë vetëm ata që i kanë pagat e larta dhe dëmtohen qytetarët me standard të ulët jetësor.

“Me këto ndryshime përfitojnë ata që i kanë rrogat e mëdha, sepse do të paguajnë tatim më pak. Qeveria është dashur që të shkojë me sistemin e përshkallëzimit që do t’i merrte parasysh kategoritë edhe më të ngushta të klasave ekonomike”, ka thënë Zogiani. Sipas tij, Qeveria nuk ka arritur që ta rrisë akcizën në alkool, duhan dhe karburante për shkak të ndikimit që kanë bizneset e mëdha në Qeveri. ”Në prill ka dalë një propozim në Qeveri për ngritjen e akcizave për alkoolin, duhanin dhe karburantet. Ky vendim është bllokuar me reagim të tregtuesve të cigareve”, tha Zogiani. Sipas tij, më shumë kanë ndikim biznesmenët e mëdhenj në Qeveri sesa shtresa me standard më të ulët.

“Mbushja e buxhetit bazohet në një sistem të tillë që e shterin mbledhjen horizontalisht edhe i rëndon shtresat e ulëta të shoqërisë, Qeveria gjithmonë zgjidhjen e bën në kurriz të shtresave me standard më të ulët jetësor”, ka thënë, mes tjerash, Zogiani.

ECIKS: Me taksa më të ulëta, Kosova më joshëse për investitorë të huaj
Kryetari i Nismës për Promovimin e Kosovës tek investitorët e rajoneve gjermanofolëse (ECIKS) në Vjenë, Kujtim Dobruna, ka thënë se vendimi për ndryshimet në skemën tatimore është lajm shumë pozitiv si për ne ashtu edhe për investitorët e huaj. “Nga këndvështrimi i promovimit të investimeve të huaja, pas statusit, kjo është arritja më e madhe e qeverisjes aktuale. Kosova, megjithëse është një nga shtetet më të pazhvilluara në rajon me normë më të ulët të rritjes ekonomike vjetore, deri tash ka pasur shkallën më të lartë të tatimeve në rajon”, ka thënë Dobruna.

Sipas tij, forma që aplikohej deri tani nuk sillte dobi, as për tatimpaguesin e as për arkën e shtetit. “Tashmë është e njohur që një pjesë e ndërmarrjeve kosovare, për t’i ikur normave më të larta të tatimit në të ardhura, deklarojnë rroga më të ulëta të punëtorëve, që përfshihen nga norma e 5-përqindëshit, ndërsa pjesën e mbetur të rrogës reale e japin në zarf”, ka thënë Dobruna. Ai shtoi se normat e deritashme tatimore, ndër më të lartat në rajon, nuk e bënin Kosovën joshëse për investitorët e huaj. Sipas tij, ato tërthorazi e vështirësonin zhvillimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme dhe me këtë edhe hapjen e vendeve të reja të punës. Kështu që, sipas tij, këto ndryshime në njërën anë do të ulin shpenzimet e larta të buxhetit për tatimin në të ardhura dhe, në anën tjetër, do ta lehtësojnë barrën tatimore për këto ndërmarrje përmes përgjysmimit të tatimit të korporatave.

“Implementimi i tarifës së fiksuar (flat-tax) për tatimin e korporatave në 10 për qind do ta rrisë aftësinë konkurruese të ekonomisë kosovare për tërheqjen e investimeve të huaja”, ka thënë Dobruna, për të shtuar se kjo reformë, e shoqëruar me instrumente të forta implementuese, do të ndikojë në zbutjen e evazionit fiskal dhe do t’i vë themelet për një rritje të qëndrueshme ekonomike.

Qeveria në mbledhjen e saj të hënën ka marrë vendim që tatimet në të ardhurat personale ose paga t’i ulë për 10 për qind për pagat mbi 450 euro, 8 për qind për pagat mbi 250 euro dhe 4 për qind ato nën këtë shifër. Ndërsa për pagat deri në 80 euro mbetet me 0 për qind.

Ndërsa për korporatat, ministri Shala ka propozuar që taksa të ulet për 10 për qind, përkatësisht taksa e cila ka qenë prej 20 për qind të zbret në 10 për qind.

Ai ka thënë se për të kompensuar këto ulje Qeveria ka shqyrtuar disa mundësi. “Megjithatë një ngritje prej 1 për qind është e domosdoshme, prandaj TVSH-ja do të ngritet nga 15 në 16 për qind”, ka thënë Shala.

Marrë nga Koha Ditore