PRISHTINË, 04 SHTATOR 2003 – Siç ishte paraparë më herët, dje më 3 shtator 2003 Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) ka bërë hapjen e ofertave për privatizimin e 21 ndërmarrjeve të reja shoqërore. Këto ndërmarrje ishin përfshirë në raundin e dytë të procesit të privatizimit në Kosovë. Më së shumti para në konton e AKM-së solli privatizimi i ndërmarrjes “Plastika” në Prishtinë, gjithsej 2.875.000 euro.
Fabrika për prodhimin e barnave “Farmakos” ishte ndarë në tri pjesë të veçanta për privatizim. Në shumë të përgjithshme privatizimi i të tria kompanive të krijuara nga “ish-Farmakosit” solli 3,9 milionë euro.
Fabrika për prodhimin e bllokave “Silcapor” në Kaçanik u shit për 2.824.153 euro, ndërsa Kombinati i Drurit në Pejë u shit për 2.555.000 euro. Për Hotelin “Rugova” në Pejë kishte 9 oferta, prej të cilave më e madhja ishte ajo me shifrën P71 me 2.210.000 euro. Restoranti dhe hudhra e peshqve “Trofta” në Istog u privatizua për 2.012.002 euro, ndërsa Shtëpia e Mallrave “Lux” në Mitrovicë u vlerësua më së shumti nga shifra 148 me 2.025.000 euro.
Ndërmarrja “Kosovaplast” u shit për 1.555.555 euro, Fabrika e Tullave “19 Qershori” në Podujevë për 805.000 euro, ndërsa ndërmarrja “Mladost” e Gjilanit u shit për 733.750. Për blerjen e Hotelit “Adriatik” në Mitrovicë pati nëntë oferta, më e larta prej të cilave ishte 464.800 euro, ndërsa Fabrika e Betonit me 5 ofertues u shit për shumën prej 425.235 euro. Mulliri në Skenderaj është blerë për 406 mijë euro, kurse Fabrika e Miellit dhe e Bukës në Mitrovicë për shumën 405.416 euro. Konfeksioni “Trepça” në Mitrovicë dhe “Kosova Konstruktion” u shitën për 355.000, respektivisht 332.335 euro.
Për Industrinë e Duhanit në Gjilan dhe për shtypshkronjën “Progresi” në Mitrovicë kishte vetëm nga dy oferta. Në bazë të politikave operacionale të AKM-së, në një mbledhje të afërt do të vendoset se a do t’i shiten këto ndërmarrje ndonjërit prej ofertuesve aktual, apo do të përsëritet procedura e privatizimit të tyre.
Për privatizimin e 21 ndërmarrjeve të raundit të dytë pati gjithsej 180 oferta, ndërsa si rezultat i shitjes së këtyre ndërmarrjeve në konton e AKM-së u derdhën gjithsej 24,5 milionë euro.
ECIKS – (K.D.)