Turqit kërkojnë të blejnë Albtelekomin

“Global Communication Network” shpreh interes për telefoninë fikse shqiptare. Qeveria turke e mbështet.

Turqit kërkojnë që të marrin Albtelekomin. Kompania shtetërore e telefonisë fikse lakmohet për t’u blerë nga kompania turke “Global Communication Network”. Kështu ka deklaruar ministri i Transporteve dhe Telekomunikacioneve në një takim të ngushtë që ka zhvilluar me homologun e tij turk. Kompania turke që prej disa kohësh ka shprehur interes për të blerë aksionet e Albtelekomit, duke plotësuar edhe dosjen me dokumentacionet e privatizimit. Sipas ministri Poçi, dosja e plotësuar nga “Global Communication Network” është dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, e cila është edhe pronarja ligjore e kësaj kompanie. “Turqia ka një pozicion tepër të fuqishëm në fushën e telefonisë dhe prezenca e një kompanie turke në tregun shqiptar mund të sjellë zhvillimin e këtij tregu”,-shprehet ministri turk i Transportit dhe Telekomunikacionit, Binali Jëlldëvëm. Ministri turk gjatë takimit të djeshëm ka shprehur interes për ecurinë e Albtelekomit, me qëllim që kjo kompani të privatizohet nga kompani turke. “Ne jemi të hapur për të privatizuar Albtelekomin nga një kompani turke, sepse niveli i tyre është i njohur në të gjithë Evropën”, -është shprehur ministri Poçi. Ndërkohë që ministri ka deklaruar se gjatë gjysmës së këtij viti do të fillojnë hapat konkrete për privatizimin e kompanisë shtetërore të telefonisë fikse. Këshilli i Ministrave së shpejti do të përcaktojë hapat konkrete, të cilat priten të ndiqen gjatë muajve në vazhdim.

Shprehja e interesit

“Global Communication Network” interesohet për të blerë aksionet e kompanisë shtetërore të telefonisë fikse në vendin tonë. Sipas ligjit për privatizimin e Albtelekomit, investitori strategjik mund të blejë 51 deri në 76 për qind të aksioneve. Kompania turke ka shprehur seriozisht interesin e saj për të blerë aksionet e Albtelekomit, duke plotësuar dhe dorëzuar të gjithë dokumentacionet e nevojshme. Ndërkohë që edhe ministri turk ka premtuar seriozitet në të interesim, duke premtuar se do të bisedojë personalisht me shoqërinë përkatëse.

Shërbimi celular

Kompania që do të privatizojë Albtelekomin do të fitojë edhe licensën e tretë të telefonisë celulare në vendin tonë. “Vodafone Albania” dhe “Albania Mobil Communication” do të kenë së shpejti një konkurrent të të ri. Ministri Poçi gjatë takimit që zhvilloi me homologun turk e ka njohur edhe me avantazhin që do të ketë ajo kompani që do të blejë aksionet maxhoritare të Albtelekomit, duke fituar licensën e tretë të telefonisë celulare.

Problemet ligjore

Albtelekom nuk ka më probleme ligjore. Kompania e telefonisë fikse i ka zjgidhur të githa problemet e pronësisë dhe është gati për t’u përballur me sfidën e privatizimit, sqarojnë specialitë pranë Ministrisë së Transporteve dhe Telekomunikacione. Ndërkohë që të njëjtën gjë ka pohuar edhe ministri i Ekonomisë, Arben Malaj, gjatë një konference për shtyp dhënë gjatë ditëve të fundit.

Albtelekom plotëson kushtet

Albetelekomi gati për të sfiduar tregun e privatizimeve. Gjiganti i telefonisë fikse plotëson të gjitha kushtet për të rifilluar procesin e privatizimit dhe realizimin e investimeve të rëndësishme. Këtë e ka pohuar vetë ministri i Transporteve dhe Telekomunikacionit, Spartak Poçi. Së bashku me kunsulentin ndërkombëtar të privatizimit, IMI-i, gjatë këtyre muajve është punuar për shqyrtimin dhe gjetjen e skenarëve dhe formave të tjera të privatizimit.

Ristrukturimi i Albtelekomit

Do të reduktohen punonjësit e Albtelekomit. Është përfunduar struktura e re e shoqërisë së telefonisë fikse, e cila do të bëjë të mundur përmirësimin e treguesve të saj. Sepse sipas parashikimeve, ky hap do të ndihmojë ndjeshëm në thithjen e investitorëve të huaj gjatë procesit të privatizimit.

ECIKS/SHEKULLI