Koridori 8 – prioritet për Italinë si kryesuese e BE-së

Italia premtoi se Korridori i Tetë do të jetë prioritet i saj jo vetëm gjatë presidencës së Bashkimit Europian, që e merr sot, por edhe më tej në kohë, pasi e konsideron këtë korridor si nyja kyçe e zhvillimit dhe e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Këtë e bëri të ditur dje ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini, në mbledhjen paneuropiane për Korridorin e 8-të, që u zhvillua në Tiranë. Merrnin pjesë ministrat e Jashtëm të tëo gjitha vendeve nga ku kalon korridori, përfaqësuesi i BE-së Salzman, ndërsa mungonte ministri i Jashtëm grek, Papandreu.

Pas përfundimit të takimit, ministrat në konferencën për shtyp bënë një deklaratë të veçantë. Fratini deklaroi dje se “Italia në fillim të muajit korrik merr presidencën e Bashkimit Europian dhe ajo e vlerëson dhe do ta vlerësojë gjithnjë këtë korridor si prioritet të politikës europiane të zhvillimit, politikë e cila, e kthyer në praktikë, do t’i ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor që të integrohen”. Sipas tij, ky projekt i madh do të kërkojë investime të mëdha dhe “Italia, vazhdoi ai, do të angazhohet që në këtë projekt të investojnë jo vetëm institucionet europiane, por edhe investues privatë”. Këto janë dy rrugë efiçente, sipas Fratinit, për të përshpejtuar ritmet e ndërtimit të këtij korridori. “Edhe populli italian pret që Korridori i 8-të të jetë real”, u shpreh Fratini. Për sa i përket projektit italian “Map road”, Fratini sqaroi se ky nuk ka të bëjë thjesht me ndërtimin e një rruge, por me shumë elementë të tjerë, si: zhvillimi i komunikimit të të gjitha dimensioneve të këtyre vendeve mes njëra-tjetrës dhe mes vendeve të BE-së. Ai shtoi më tej se vendet e rajonit duhet të japin mesazhe pozitive në drejtim të këtij projekti, në mënyrë që Europa t’i besojë ato.
Në fjalën e tij ministri i Jashtëm, Meta, theksoi se “ajo çka kemi nevojë është zbatimi i një strategjie të koordinuar për çështjet dhe projektet që na lidhin, na bëjmë më të ndërvarur dhe ekonomitë tona më konkurruese”. Sipas tij, është e nevojshme të hidhen hapa konkretë për materializimin e këtij projekti dhe përfshirjen e tij në prioritetet e axhendave kombëtare.

Ministrja e Jashtme maqedonase, Mitreva, vuri në dukje se ky projekt në Maqedoni ka arritur suksese konkrete dhe i kërkoi Italisë që t’i nxisë institucionet ndërkombëtare për ta investuar më tej Korridorin e 8-të. Ministri i Jashtëm turk, Jildrim, vuri në dukje se përfundimi i këtij projekti do të jetë i rëndësishëm jo vetëm për lidhjen Adriatik-Deti i Zi, por edhe për lidhjen e Europës dhe të Ballkanit me Azinë.

Konferenca e djeshme e ministrave të Jashtëm të vendeve ku kalon Korridori i 8-të u konsiderua nga pjesëmarrësit si një hap përpara realizimit të këtij projekti,miratuar që në mars të 1994. Takimi i fundit për këtë projekt daton në maj të vitit 2002 në Bari të Italisë, ku ministrat e Transportit nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për Korridorin. BE-ja, gjatë presidencës franceze dhe asaj greke nuk e ka pasur prioritet të vetin Korridorin, ndërsa pala italiane shpalli angazhimin e saj për Korridorin, të cilin e quajti prioritet të saj dhe të BE-së.

Gazeta Shqiptare / ECIKS