Turqit ftohen të investojnë në Kosovë

Ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Besim Beqaj ka pritur një delegacion biznesmenësh nga Turqia, të cilët i ka informuar me zhvillimet në fushën e ekonomisë, perspektivën ekonomike të Kosovës dhe infrastrukturën ligjore.

“Kemi shënuar përparim në legjislacionin që krijon një bazë të mirë për zhvillimin ekonomik të Kosovës, bazë kjo e cila krijon lehtësime për investitorët e huaj” ka thënë ministri Beqaj, duke i ftuar biznesmenët e turq për të investuar në Kosovë.

Ai po ashtu ka ftuar biznesmenët turq që fokusin e tyre ta kenë jo vetëm në fushën tregtare por edhe në aktivitetet prodhuese, të cilat do të kontribuonin pozitivisht tek ekonomia e vendit dhe njëkohësisht do të shënonin avancimin e sektorit privat.

Kreu i MZHE-së më këtë rast ka njoftuar delegacionin turk se Qeveria tashmë ka hartuar prioritetet e zhvillimit ekonomik, të cilat përcaktojnë orientimet e qarta në fushën e zhvillimit ekonomik të vendit. “Qeveria ka për synim nxitjen e investitorëve të huaj në vend, ku një ndër hapat është edhe nënshkrimi i marrëveshjeve ndërshtetërore për eliminimin e taksimit të dyfishtë“.

Nga ana tjetër delegacioni i biznesmenëve turq ka shprehur interesimin e tyre për të investuar në Kosovë, kryesisht në fushën e energjisë, minierave dhe ndërtimtarisë.

/Telegrafi/